Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, eurodeputeti kroat Tonino Picula, ka dhënë një vlerësim kritik mbi rrugëtimin e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se krizat e brendshme politike, mungesa e reformave dhe tendencat revizioniste po e pengojnë vendin të ecë përpara.
“Me çetnikë nuk ka hyrje në BE – qofshin ata të gjallë apo jo”, tha Picula në një intervistë për gazetën malazeze Pobjeda, duke aluduar për përpjekjet për rehabilitimin e figurave të lidhura me krime lufte. Sipas tij, këto veprime janë “të dëmshme dhe të panevojshme”, pasi nxisin patologji politike dhe irritojnë si fqinjët, ashtu edhe vetë qytetarët e Malit të Zi.
Eurodeputeti kërkoi që të gjitha forcat pro-evropiane në Mal të Zi të distancohen qartë nga këto prirje, duke theksuar se provokimet nuk janë spontane, por të organizuara.
Duke folur për procesin e integrimit, Picula u shpreh se Mali i Zi nuk e ka shfrytëzuar potencialin që kishte dhe se ritmi i afrimit me BE-në është shumë më i ngadaltë se sa ishte premtuar.
“Dikur flitej vetëm për Malin e Zi si lider në procesin e zgjerimit, tani po flitet për hyrje të përbashkët me Shqipërinë – një sinjal i qartë se vendi ka humbur ritmin,” tha ai.
Gjithashtu, Picula kritikoi faktin që Mali i Zi ka përthithur më pak fonde nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke mos përmbushur detyrimet që rrjedhin nga agjenda evropiane.