Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, Enkel Rexhepi, u pritën në një takim zyrtar nga drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Rilind Gërvalla. Lajmi u bë i ditur nga KKSh-ja, raporton Ulqini Online.
Gjatë bisedës, palët u pajtuan për nisjen e realizimit të një programi të përhershëm televiziv në RTK, i cili do të pasqyrojë jetën, sfidat dhe zhvillimet e shqiptarëve në Mal të Zi, Luginën e Preshevës, Sanxhak dhe treva të tjera shqiptare.
Ky projekt vlerësohet si një hap i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve kulturore, shpirtërore dhe identitare ndërmjet shqiptarëve në rajon.
Kryetarët Nika dhe Rexhepi shprehën mirënjohje për gatishmërinë dhe mbështetjen e pakursyer të drejtorit të RTK-së për realizimin e kësaj nisme me rëndësi kombëtare.
/MALESIA.ORG/