Podgoricë, 30 korrik 2025 – Në seancën e fundit të Kuvendit të Malit të Zi është miratuar Propozim-ligji i tatimeve mbi pasuritë publike, i paraqitur nga deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj.
Me këtë ndërhyrje ligjore, rikthehet ligji i mëparshëm, i cili mbron pozitat financiare të Komunës së Tuzit, duke e përjashtuar nga detyrimi ligjor për të kthyer afërsisht 3 milionë euro ndërmarrjes shtetërore “Plantacionet”, një shumë që më parë ishte objekt i një procesi ligjor.
Sipas ligjit ekzistues para miratimit të këtij ndryshimi, Komuna e Tuzit ishte e detyruar t’i transferonte këto mjete ndërmarrjes “Plantacionet”. Ligji, i mbështetur nga 60 deputetë, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve financiare të komunës dhe menaxhimit më të mirë të të ardhurave që burojnë nga pasuritë natyrore dhe tokat shtetërore në territorin e saj.
Me këtë vendim, Komuna e Tuzit nuk do të jetë më e detyruar të kthejë fondet e përfituara më parë, çka përforcon më tej autonominë ekonomike të komunës dhe ndihmon në planifikimin afatgjatë të zhvillimit lokal.
Deputeti Camaj e cilësoi këtë miratim si një fitore për qytetarët e Tuzit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit politik dhe përkushtimit institucional në arritjen e rezultateve konkrete.
“Njësoj si para dy viteve, kur përmes një tjetër ligji, kemi siguruam rreth 2 milionë euro në vit për Tuzin, edhe sot po tregojmë se angazhimi dhe puna konkrete me shumicën po sjellin përfitime reale për qytetarët. Ky është një hap tjetër drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të trevave tona”, theksoi Camaj.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për shumicën parlamentare për përkrahjen e dhënë dhe e vlerësoi vendimin si një shembull të angazhimit institucional për barazi zhvillimore në të gjitha komunat e vendit, përfshirë edhe Tuzin.
Malesia.org