Мё 14 korrik 2025, në mbledhjen e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof. Dr. David Kalaj u zgjodh akademik i jashtëm, me 45 vota pro dhe vetëm 3 kundër. Është ky një vlerësim i merituar për arritjet e tij të shquara dhe ndikimin e vazhdueshëm në zhvillimin e shkencës, jo vetëm ne rajon, por edhe ne nivel global.
Kalaj është një matematikan i shquar nga Malësia, i njohur për kontributet e tij të thella dhe origjinale në analizën komplekse, analizën harmonike dhe gjeometrinë diferenciale. Ai kreu studimet universitare në Universitetin e Malit të Zi, ndërsa studimet pasuniversitare dhe doktoraturën i përfundoi me sukses në Universitetin e Beogradit.
Formimin dhe karrierën akademike e ka zhvilluar në Universitetin e Malit të Zi, ku ka ndërtuar një profil të konsoliduar si profesor dhe kërkues shkencor. Me më shumë se 130 punime shkencore të botuara në revista ndërkombëtare të indeksuara në listat SCI dhe SCIE, ai ka lënë një gjurmë të rëndësishme në komunitetin matematikor ndërkombëtar. Punimet e tij janë vlerësuar për cilësinë e lartë dhe origjinalitetin shkencor, ndërsa ka pasur bashkëpunime të shumta me qendra dhe universitete kërkimore në mbarë botën.
Prof. Kalaj është fitues i katër çmimeve më prestigjioze për shkencë dhe edukim në Mal të Zi:
Çmimi “Oktoih” (2023) – për kontribut të shquar në arsim dhe shkencë,
Çmimi “13 Korriku” (2017) – nderimi më i lartë shtetëror për arritje të jashtëzakonshme,
Çmimi “Shkencëtari më i mirë” (2019) – për ekselencë në kërkim shkencor,
Çmimi për projektin më të mirë kërkimor (2012) – për realizimin e një projekti të rëndësishëm në fushën e matematikës.
Ai ka udhëhequr deri më tani katër doktoratura, duke kontribuar drejtpërdrejt në formimin e brezave të rinj të studiuesve.
/MALESIA.ORG/



