Gjenerata 2015-16 e KF Malësia shkëlqeu në turneun ndërkombëtar të organizuar nga BSK Olimpia pranë Mynihut, ku morën pjesë mbi 70 ekipe nga vende të ndryshme.
Në kategorinë e tyre, midis 12 ekipeve pjesëmarrëse, djemtë tanë treguan klas dhe karakter, duke zënë vendin e parë me një bilanc mbresëlënës.
Ata luajten 7 ndeshje me 7 fitore, me 23 gola të shënuar dhe vetëm 2 gola të pësuar.
Lojtari më i mirë i turneut u shpall Maid Orahovac, i cili shënoi 9 gola dhe ishte lider i padiskutueshëm i ekipit gjatë gjithë garës.
“Të mposhtësh 7 ekipe gjermane në një turne ndërkombëtar nuk është vetëm rezultat – është një dëshmi e talentit, disiplinës dhe shpirtit luftarak të këtyre djemve të rinj që përfaqësuan me krenari Malësinë,” shprehet trajneri David Camaj.
“Një falënderim i veçantë shkon për z. Rrok Gjonaj në Gjermani, i cili jo vetëm që mundësoi pjesëmarrjen tonë, por edhe strehimi 15 anëtarëve të ekipit në shtëpinë e tij – një gjest që nuk harrohet,” tha Camaj.
“Falënderojmë gjithashtu Nik Gjeloshaj, Driton Camaj, Fran Berishaj dhe Ivan Ivanaj për mbështetjen financiare, duke mbuluar të gjitha shpenzimet e udhëtimit,” përfundon Camaj.
/MALESIA.ORG/