Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), është promovuar sot libri “Femicidi – Gruaja ndërmjet pabarazisë zakonore dhe civilizimit të vdekjes” i akademikut Anton Kolë Berishaj.
Libri është botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), ku Berishaj është anëtar që nga viti 2012
Drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, veprën më të re të Berishajt e cilëson si thirrje për ndërgjegjësim dhe përballje ndaj femicidit.
“Libri më i ri i profesor Anton Kolë Berishajt “Femicidi – Gruaja ndërmjet pabarazisë zakonore dhe civilizimit të vdekjes” është një reflektim i thellë mbi rrënjët kulturore dhe shoqërore të dhunës ndaj grave.
Duke e trajtuar femicidin si pasojë të një mendësie patriarkale të ngulitur në traditë, profesor Berishaj na fton të rimendojmë marrëdhënien tonë me nderin, trupin dhe jetën e grave.
Një thirrje për ndërgjegjësim dhe përballje me të pathënat e shoqërisë.
Në këtë vepër, profesor Berishaj i qaset fenomenit të femicidit jo vetëm si një akt kriminal, por si një manifestim i një kulture patriarkale që është ngulitur thellë në strukturat sociale dhe kulturore.”, shkruan Halimi.
/MALESIA.ORG/
