Shkruan: Gani Vila
Thesaret, ato që shkëlqejnë nën dritën e historisë, zakonisht matën me vlerën e tyre materiale rriten, bien, ose shuhen me kohën. Por thesaret njerëzore janë krejt ndryshe: janë burime të pashtershme idesh, veprash dhe shpirtmadhësie. Sa janë gjallë, përkushtimi i tyre është aq i natyrshëm sa shpesh kalon pa u vënë re. Por kur largohen nga kjo botë, vepra e tyre ndriçon si një dritë që nuk shuhet kurrë, duke u bërë pasuri e përhershme për brezat që vijnë.
Në këtë plejadë të ndritur atdhetarësh, një vend nderi zë Kolë Prek Gojçaj biri i Helmicës së Malësisë së Madhe të Hotit dhe një nga shtyllat e komunitetit shqiptaro-amerikan në Michigan. Lindur në një familje që kishte paguar çmimin e lirisë me shtëpinë e djegur pesë herë nga pushtuesit, ai trashëgoi jo vetëm plagët, por edhe krenarinë dhe ndjenjën e përjetshme të atdhedashurisë. Dera e shtëpisë së tij kurrë nuk u mbyll; ajo mbeti hapur për të pritur miqtë, bashkëkombasit dhe çdo ideal të shenjtë të kombit shqiptar.
Prej më shumë se gjysmë shekulli në Amerikë, Kolë Gojçaj jetoi me shpirtin e një misionari të heshtur për çështjen kombëtare. Vizitat e tij të shpeshta në Shqipëri ishin një dëshmi e lidhjes së pashkëputshme me rrënjët. Ishte një njeri i besës, i fjalës së dhënë dhe i veprës së kryer me vizion të qartë dhe me guxim të palëkundur.
Në komunitetin shqiptar në SHBA, ai shërbeu si Kryetar i Këshillit të Kishës së Shën Palit, ishte donator i palodhur dhe pjesëmarrës aktiv në çdo nismë për të ruajtur identitetin, kulturën dhe traditat tona. Biznesmen i suksesshëm, por mbi të gjitha patriot i devotshëm, Kola nuk mungoi kurrë në protestat, grevat dhe demonstratat për lirinë e Kosovës. Ishte ndër ata që i dhanë shpirt dhe mbështetje Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e ndihmuar financiarisht dhe moralisht, për çka më pas u nderua me titullin Veteran i UÇK-së dhe gëzonte respektin e pakufishëm të institucioneve kosovare.
Në vitet e fundit, jetonte i ndarë mes Amerikës dhe Helmicës së tij të dashur, aty ku i rrinte gjithmonë zemra. Ndarja e tij nga jeta në moshën 89-vjeçare është një humbje e madhe jo vetëm për familjen e tij, por për mbarë Malësinë, për diasporën shqiptare në Amerikë, dhe për të gjithë ata që e njohën e punuan me të.
Patriotizmi i tij nuk shteroi me largimin e trupit të tij fizik. Ai la pas një pasuri të çmuar vlerash, që do të ndriçojë përherë historinë tonë dhe do të frymëzojë brezat që vijnë.