Ismail Kadare ka marrë çmimin e njohur të letërsisë, Neustadt 2020, që akordohet nga Universiteti i Oklahomas në SHBA. Çmimi ka një vlerë prej 50 mijë dollarësh.Ky çmim mbështetet nga familja Neustadt në Teksas, dhe konsiderohet si Nobeli amerikan. Finalistët për këtë çmim ishin Emmanuel Carrere (Francë), Jorie Graham (Shtetet e Bashkuara), Jessica Hagedorn (Filipine / Shtetet e Bashkuara), Eduardo Halfón (Guatemala), Ismail Kadare (Shqipëri), Sahar Khalifeh (Palestinë), Abdellatif Laabi (Marok), Lee Maracle (Kanada) dhe Hoa Nguyen (Vietnam / Shtetet e Bashkuara).
“Është emocionuese që një grup i tillë me famë i shkrimtarëve të konkurrojnë për Çmimin Neustadt”, është shprehur Robert Con Davis-Undiano, drejtor ekzekutiv i Letërsisë Botërore. Neustadt është çmimi i parë ndërkombëtar letrar, që origjinën e ka në Shtetet e Bashkuara dhe jepet që nga viti 2003. Ndahet nga Universiteti i Oklahomës. Përpos që është krahasuar me “Nobel”-in për letërsi, duke u quajtur “Nobeli Amerikan” disa nga emrat që janë vlerësuar me këtë çmim janë, Gabriel Garcia Marquez, Octavio Paz, Giuseppe Ungaretti etj.
Kadare ishte pretendent edhe për çmimin Nobel në letërsi, i cili u fitua nga shkrimtari austriak, Peter Handke, mbështetës i Sllobodan Millosheviç dhe mohues i masakrës së Srebrenicës.
Ismail Kadare është një nga zërat më të rëndësishëm në letërsinë botërore sot. I lindur në Shqipëri në vitin 1936, nisi botimin e poezisë dhe fiksionit në vitet 1960 kur Shqipëria ishte nën një regjim totalitar.
Novela e tij e parë e madhe janë: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) dhe “Kronikë në Gur” (1971). Për të vijuar më pas me: “Pallati i ëndrrave”, “Prill i thyer”, “Dosja H” etj. Proza e Kadaresë vlerësohet për poezinë dhe eksplorimin e saj të pashembullt. Puna e Kadaresë është një testament monumental për vëzhgimin e tij se si “shkrimtari është armiku natyror i diktaturës”. Romanet e tij janë përkthyer në dyzet e pesë gjuhë. Në 2005 ai u nderua me çmimin inaugurues të “Man Booker International” dhe më pas i “Princit të Asturias” (2009) etj.



