TIRANË- Krerët e ortodoksisë botërore u mblodhën sot në Tiranë për të marrë pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”. Në ceremoni morën pjesë edhe personalitete të larta të vendit, si Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, kreu i parlamentit Meta, lideri i opozitës Basha, ministra, deputetë të parlamentit dhe diplomatë të akredituar në Tiranë.
Shenjtërimi i Kishës së re Katedrale, një ngjarje e rëndësishme për ortodoksinë, u krye nga Tërëshenjtëria e tij – Patriarku Ekumenik Bartolomeu i parë, me pjesëmarrjen e Fortlumturive të tyre, Patriarku i Jeruzalemit, Theofili i III, Patriarku i Rumanisë, Danieli, Kryepesokopi i Greqisë, Jeronimi, i Qipros, Krisostomi, Peshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, Nikon Liolini, Kryepeskopi i Varshavës, Sava, Patriarkut të Serbisë, Irinej dhe delegacionit të Kishës Ortodokse të Moskës.
Për mbarëvajtjen e ceremonisë së shenjtërimit të katedrales “Ngjallja e Krishtit”, policia bllokoi rrugët hyrëse për në katedrale.
Katedralja e re në Tiranës “Ngjallja e Krishtit”, e ndërtuar në qendër të Kryeqytetit në vendin e kishës së vjetër e cila u shkatërrua nga regjimi komunistë më 1967.
SHENJTËRIMI I KISHES NGA TËRËSHENJTËRIA E TIJ – PATRIARKU EKUMENIK BARTOLOMEU I PARË
Krerët e ortodoksisë botërore dhe bijëra besimtarë morën pjesë në shenjtërimin e Kishës së re Katedrale “Ngjallja e Krishtit”.
Shenjtërimi i Kishës së re Katedrale, një ngjarje e rëndësishme për ortodoksinë, u krye nga Tërëshenjtëria e tij – Patriarku Ekumenik Bartolomeu i parë, me pjesëmarrjen e Fortlumturive të tyre, Patriarku i Jerusalemit, i Serbisë, i Rumanisë, Kryepeshkopi i Qipros, i Athinës, Varshavës, si dhe kryepeshkopi Anastas.
Gjithashtu bashkëmeshuan edhe përfaqësuesit e Patriarkanave të Moskës, Bullgarisë, Gjeorgjisë dhe Antiokisë. Sipas Kishës Ortodokse Shqiptare, ngjarja e shenjtërimit të kishës përbën një bekim të veçantë, jo vetëm për ortodoksët e Shqipërisë, por për të gjithë vendin, dhe është një dëshmi shumë e rëndësishme e ortodoksisë në mbarë botën.
Aspak vëllazërore. Irinej bekon Shqipërinë me flamurin serb
Flamuri serb ka valuar në mes të Tiranës, ndërkohë që nga kryeqyteti i shqiptarëve, Kryepeshkopi serb, Irinej, ka thënë se “Kosova është dhe do të jetë serbe”.
Gjithçka ka ndodhur sot gjatë ceremonisë së shenjtërimit të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, e ku, tok me Krepeshkopin serb, kanë marrë pjesë gjithë lidershipi institucionalë e politikë i Tiranës.
Ky lirisht mund të quhet si provokimi i radhës që vjen nga shteti amë, apo thënë më mirë pakujdesia e radhës e Tiranës ndaj ndjenjave të kosovarëve; diçka që ndodh vazhdimisht, diçka që përsëritet kohë pas kohe – herë nga ndonjë televizion, herë nga një parti politike, nga ndonjë kryetar bashkie…
Të kujtojmë se vite më parë, Goran Bregovic mori Çelësin e Tiranës, Kumbar i bashkimit të PS’së dhe LSI’së ishte Ish-Presidenti serb, Boris Tadic, pak javë më parë shqiptarët në Tiranë u harbuan me Zdravko Colicin.
Por kulmi ishte ceremonia e sotshme shenjtërimit të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”.
Pse duhet ftuar në një ceremoni kaq të rëndësishme për komuniteti ortodoks shqiptar një fashist serb sic është Kryepeshkopi serb, Irinej?
Si mundet që i gjithë lidershipi shqiptar; nga Presidenti Nishani, Kryeministri Rama, Kryeparlamentari Meta dhe lideri i opozitës, Basha, të marrin pjesë në këtë ceremoni dhe t’ia puthin dorën Irinejt?
Kush ua lejoi atyre të rinjve të valojnë flamurin serb dhe të hedhin parulla kundër shqiptarëve?
Ky po që është një provokim.
Ky po që është një turp i Shtetit Shqiptar.
Ngritet flamuri serb në Tiranë
Ceremonia e shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë dhe prania e kryepeshkopit serb Irenej në këtë eveniment nuk ka kaluar pa incidente. Ndonëse Policia u kujdes duke mos dhënë asnjë leje për zhvillimin e protestave, partia Aleanca Kuq e Zi qysh në orët e para të mëngjesit ka vendosur përpara Katedrales një parrullë kundër klerikut serb Irenej.
Pankratat janë vendosur në murin rrethues të katedrales dhe në to shkruhej; “Kryepeshkopi i Serbisë, kundër Shqipërisë”, më pas ato janë hequr nga policia dhe aktivistët e Aleancës Kuq e Zi janë shoqëruar për në komisariat.
Por krahas aktivistëve të AK-së pranë Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë janë parë edhe një grup të rinjsh serb të cilët kanë valëvitur lart flamurin e Serbisë duke nderuar me simbolet e tyre ardhjen e Klerikut Irenej.
Por nga ana tjetër nuk mungonin edhe qytetarë shqiptarë të cilët bënin thirrje që Kishës Ortodokse i duhet një Kryepeshkop shqiptar që lutjet t’i këndojë në gjuhën shqipe dhe jo në greqisht apo në gjuhë të tjera.
Godina madhështore e Katedrales është rrethuar me forca të shumta policie gjatë gjithë kohës kur kryehej ceremonia e shenjtërimit, në mënyrë që të shmangeshin incidentet.
Marku: Shenjtërimi i Kishës Shqiptare nuk mund të bëhet nga një serb
Flet At Nikolla Marku. Ai për KosovaPress sqaron pse nuk mori pjesë në ceremoninë e Shenjtërimit të Katedrales Ortodokse. Thotë se shenjtërimi i Kishës Shqiptare nuk mund të bëhet nga një serb dhe një grek.
Në një bisedë telefonike për KosovaPress, At Nikolla Marku sqaron lajmet e publikuara në emër të tij se është dëbuar nga ceremonia e Shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, që u mbajt sot në Tiranë.
Ai thotë se nuk është penguar nga askush por ka qenë dëshira e tij, për të mos marrë pjesë në këtë ceremoni, pasi nuk pajtohet me këtë akt shenjtërimi të Kishës Shqiptare për faktin se është organizuar nga klerikë antishqiptarë.
“Unë nuk jam penguar për të marrë pjesë në ceremoninë e Shenjtërimit të Katedrales ‘Ngjallja e Krishtit’, as nuk kam marrë ftesë sepse ata e dinë që unë nuk u shkoj, sepse i kam thënë dhe më herët qëndrimet e mia kundër. Nesër në një konferencë për shtyp në orën 9:00 në Kishën e ‘Shën Mërisë’ në Elbasan unë do të shpjegoj edhe qëndrimin tim ndaj aktit të Shenjtërimit të Katedrales Ortodokse“ Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë. Shenjtërim do të thotë përjetësim, si akt. Por kjo ceremoni duhet të ishte bërë jo nga individë antishqiptarë që e drejtojnë sot Kishën. Ky akt shenjtërimi nuk është i drejtë sepse u bë nga një njeri që nuk është shqiptar, kryepeshkopi Janullatos, i cili për më tepër thirri klerikë nga Greqia e Serbia. Për cfarë i thirri? Për të treguar se sa i fortë është, sa pushtete ka? Kryepeshkopi Irinej njihet për deklaratat e tij kundër Kosovës, ka thënë se Kosova është zemra e Serbisë, ndaj si mund të shenjtërojë një njeri i tillë Kishën Shqiptare, kur ai është armiku i shqiptarëve dhe nuk e njeh fare dhe nuk e do kombin shqiptar,” tha pasditen e sotme At Nikolla Marku, gjatë një bisede telefonike për KosovaPress.
Qëndrimet e At Nikolla Marku kundër Kryepeshkopit Janullatos janë bërë publike edhe më herët, ku prifti shqiptar At Nikolla Marku është shprehur se Janullatos ndodhet në Shqipëri për interesat greke.
/BalkanWeb/GazetaExpress/Kosovapress/MALESIA.ORG/


