Të martën, me datën 10.09.2013, me fillim në ora 14.00, është lajmëruar se do të mbahet mbledhja e Kuvendit të KU të Tuzit. Kjo mbledhje është vazhdim i mbledhjes së kaluar të datës 29 korrik 2013, ku mbeti pa u diskutuar pika e propozuar nga Këshilltari i Iniciativës Qytetare, Vasel Sinishtaj, për ndërprerjen e kontratës me kompaninë e cila e ka punuar elaboratin (Investment & Consulting), pika e dyte e rëndit të ditës do të jetë edhe raporti i punës së kryetarit të KU Tuz Fran Lulgjuraj.
Gjatë javëve të kaluara gazetat e përditshme malazeze kanë qenë të mbushura me akuza të ndërsjella mes opozitës dhe mazhorancës në Komunën Urbane të Tuzit. Gjithashtu në disa raste nuk ka pasur vetëm akuza mes njërës dhe tjetrës palë, por edhe akuza brenda koalicionit, se kush mban përgjegjësinë më të madhe për mosrealizimin e referendumit konsultativ për Komunën e Malësisë, por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me premtimet individuale të Kryetarit të kësaj Komune z. Fran Lulgjuraj i cili me 19 shkurt 2013 për gazetën “Dan” është shprehur se është bërë një marrëveshje me partitë shqiptare që referendumi do të mbahet më së largëti deri më 29 shtator. “Ti qartësojmë të gjitha dilemat dhe spekulimet politike se kjo është një lojë apo një trik, nuk ka asnjë dilemë, referendumi do të jetë këtë vit. Si kryetar besoj në premtimet e kryesisë së shtetit që referendumi do të jetë këtë vit. Në qoftë se kjo nuk do të ndodh, atëherë me përgjegjësi të plot deklaroj se nuk kam të drejtë morale të hyjë më në këtë ndërtesë si punëtor social, por as të paraqitëm para qytetarëve. Fjala është dhënë dhe ajo është më e fortë së jeta, në këto treva kanë dhënë jetën për të” është shprehur Lulgjuraj në atë kohë.
Këshilltari i IQ Vasel Sinishtaj është shprehur po për gazetën “Dan” se fjala e dhënë në Malësi akoma ka peshën e vet kështu që pret që Lulgjuraj ta mbaj fjalën. Gjithashtu Sinishtaj ka akuzuar kryetarin e KU se nuk ka pas të drejtë ti jap firmës e cila është e autorizuar për realizimin e elaboratit ditë shtesë për ta përmirësuar atë.
Nikollë Camaj, Këshilltar i LDnëMZ është shprehur se përgjegjësia i është deleguar kryetarit të KU dhe është kërkuar nga ai të ndërpritet kontrata. “Deklaratat e tija që përgjegjësia duhet ti kalojë këshilltarëve e shoh si zvarritje, gjë që bëjnë që nga fillimi. Fjalët e tij nuk më interesojnë për arsye se ai asnjë gjë nuk punon pa konsultime dhe direktiva të Kryeqytetit”. është shprehur Camaj.
Kryetari i Kuvendit të KU Tuz Fadil Kajoshaj është i mëndi se Kryetari i KU Tuz Fran Lulgjuraj po kalon përgjegjësinë të Kuvendi. “Lulgjuraj ka qenë kryetar i Komisionit për punimin e elaboratit, ai ka nënshkruar kontratën dhe në rast se duhej, ai duhej edhe ta ndërpresë” është shprehur Kajoshaj. /MALESIA.ORG/


