Anton Lulgjuraj, kryetarë i Forumit Demokratik për Integrim, shprehët se është kundër mbajtjes së referendumit konsultativ për komunën e Malësisë.
Referendumi konsultativ për statusin e ardhshëm të Komunës urbane të Tuzit është antikushtetues dhe bie ndesh me parimet dhe vlerat e të drejtave fundamentale dhe demokratike të Evropës, shkruan në deklaratën e FDI-së e nënshkruar nga Lulgjuraj.
Lexoni deklaratën e plotë:
Pasi që pushtetit aktual në nivel qëndror iu dha edhe mbështetja politike për të bërë “çfarë të dojë”, nga partitë politike “shqiptare” në territorin e Malësisë, vjen radha e miratimit të akteve “ligjore” për të vënë në pikëpyetje fatin dhe të ardhmen e Malësisë së Madhe. Fjala është për mbajtjen e “referendumit konsultativ” për Komunën e Malësisë. Akt që do të na kushtojë rëndë! Në kohën kur laicizmi politik dhe juridik ka arritur majën e ajsbergut në Malësi, përgatiten “lojëra” që do të dëmtojnë pozitën e shqiptarëve në këtë trevë. Rënja e qetësisë absolute, heshtja e tepruar, tentativa për të dëmtuar harmoninë fetare nga ana e pushtetit, plaçkitja e pronave, frika në masë galomane, diskriminimi në bazë të etnisë (mos përfaqësimi në organet shtetërore), distancimi nga premtimet parazgjedhore të politikanëve që sot janë me Qeverinë, papunësia në skajet më të larta, varfëria në masë, mungesa e perspektivës, mungesa e planeve vizionare për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, mos organizimi i shoqatave për mbrojtjen e të drejtave tona, maskilizmi i tepruar duke treguar që jemi mbrapa në kohë për të patur aspiratat që gjoja i kemi tani duke mohuar gruan si shtyllë e shoqërisë, pozita e vështirë e banorëve në zonat malore, kanë bërë që qytetarët e Malësisë të “kënaqen” me këtë “kafshatë” që kanë!
Për të disatën herë, deklaroj publikisht se jam dhe do jem kundër “referendumit konsultativ” sepse bjen ndesh me parimet dhe vlerat e të drejtave fundamentale dhe demokratike të Evropës në të cilën jetojmë. Këto të sanksionuara në Konstitucionin e Malit të Zi, në Konventën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ka filluar viteve të fundit të flitet se do bëhet një “referendum”. Njëherë u tha se do bëhet në 2008! Pastaj u tha se do bëhet në 2011! Pastaj u tha se do bëhet në prill të 2013! Më në fund thuhet që do bëhet deri në shtator të 2013! E kush e din se kur do bëhet, por kjo ka pak rëndësi, sepse për ata, e rëndësishme është që do bëhet! Këto lojëra, të sajuara për të demoralizuar dhe për të turbulluar mendjen e qytetarëve të Malësisë, me keqardhje e them që ia kanë arritur qëllimit!
Në fillim (në vitin 2008), një grup i këshilltarëve në pushtetin e Komunës Urbane të Tuzit, atëbotë ishte dakord që të bëhej referendumi, por njerëz të filtruar e kundërshtonin! Pas pak kohe, të njëjtit njerëz ishin kundër referendumit. Ndërsa në muajt e fundit të vitit të kaluar, asnjë nga këshilltarët në kuvendin e KU të Tuzit (e kam fjalën për përfaqësuesit shqiptar), nuk ishte kundër këtij akti, gjoja “demokratik” për themelimin e vetëqeverisjes lokale. Pra, siç e shihni dhe e dini edhe ju vetë, brenda 4 viteve, “përfaqësuesit” tanë kanë ndryshuar qëndrim 360o! Kjo tregon paditurinë, mungesën e një platforme, përjashtimin e bashkëpunimit me faktor kompetentë, mos sinqeritetin për elektoratin, mashtrimin në masë, keqpërdorimin e besimit!
E shoh të nevojshme që të bëj një shpjegim në lidhje me aktin më denigrues që shqiptarët në trevën e Malësisë do të përballen në muajt në vijim.
Referendumi është instituti më i përhapur dhe më i rëndësishëm i demokracisë si rezultat i sovranitetit të popullit. Fjala referendum rrjedh nga latinishtja që dmth: “për të cilin duhet informuar”. Referendumi është institut i të drejtës ndërkombëtare publike, që shërben për: ndarjen dhe bashkimin e shteteve duke formuar konfederatën ose federatën. Referendumi është edhe institut i të drejtës Konstitucionale, që shërben për miratimin e ligjeve të ndryshme, të cilat mund të sjellin ndryshime rrënjësore në shtetin përkatës, ose miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ose anëtarësimin në një nga organizatat ndërkombëtare. Në referendum, zakonisht, zgjedhësit përcaktohen për njërën nga alternativat PRO ose KUNDËR.
Klasifikimi i formave të referendumit bëhet në bazë të faktorëve të ndryshëm siç janë:
– Baza juridike për mbajtjen e referendumit;
– Obligueshmëria e vendimit nga referendumi;
– Efekti i vendimit nga referendumi;
– Çështja për të cilën vendoset me referendum;
– Koha e zbatimit të referendumit.
Për nga baza juridike dallojmë dy lloje të referendumit:
1. Referendumi i detyrueshëm dhe
2. Referendumi konsultativ ose këshilldhënës;
Do trajtoj vetëm referendumin konsultativ, me qenë se ai ka të bëjë me kauzen tonë, në mënyrë që edhe ju ta keni një ide më të qartë se me çfarë kemi të bëjmë.
Referendumi konsultativ ose këshilldhënës: është ajo formë e të vendosurit të drejtëpërdrejtë të zgjedhësve, në të cilin akti që është objekt i referendumit nuk miratohet, por përmes referendumit vetëm shpreh mendimin rreth tij. Ky përkufizim, na tregon qartë se objekti në referendumin konsultativ (që do të jetë “jeni pro apo kundër Komunës së Malësisë”), edhe nëse votohet me shumicë PRO, nuk ka asnjë detyrim Qeveria që të respektojë mendimin e sovranit, nga vetë fakti që thjesht merret vetëm një mendim (opinion). Ky lloj referendumi, zhvillohet në kufij të përcaktuar të territorit të Malësisë nga ana e pushtetit qëndror dhe jashtë vullnetit të qytetarëve të Malësisë dhe për të duhet të shprehen edhe pjesa e popullsisë me origjinë jo – shqiptare. Pra, votohet edhe aty ku ka pësuar ndryshim demografik popullata vendase autotktone. Votimi i kësaj pjese popullate me origjinë jo – shqiptare mund të sjellë humbjen e statusit të Komunës së Malësisë dhe të sjellë në pikëpyetje fatin e popullit autotkton! Këtë projekt të pushtetit qëndror e vlerësojmë si kurth për të pastruar popullin autokton shqiptar në territorin e Malësisë! Ne duam të bashkëjetojmë me të gjithë qytetarët e Malësisë, qofshin këta shqiptar apo jo, por duhet që për fatin tonë të shprehet vetëm populli autokton shqiptar sepse duhet cilësuar si pasuri shtetërore siç e përkufizon Konventa Ndërkombëtare për Popujt Autokton dhe Fisnorë.
Duke qenë se referendumi është i ideuar nga Partia në pushtet së bashku me satelitët e saj, në terma të përgjithshëm paraqet këtë situat:
– Referendumin do ta shpallin kur ata të vlerësojnë se “e kanë situatën nën kontroll”. Më ketë dua të them që nëse zhvillohet referendumi, partia në pushtet e ka të parashikuar rezultatin.
– Rasti i dytë është, nëse në mënyrë hipotetike, Malësia me shumicë shprehet PRO Komunës së Malësisë, përsëri kjo nuk është e garantuar, sepse politikisht i është dhënë mundësia që pas përmbylljes së referendumit, të jetë përsëri pushteti ekzekutiv ai që do vëndosë për fatin e Komunës së Malësisë. Por, duke qenë se vullnetin e tyre e njohim shumë mirë prej dekadash, Ne e dijmë se cili do jetë qëndrimi i tyre.
– Nuk do të zhvillohet në të gjithë territorin e Malësisë së Madhe. Kjo tregon që Plani është që disa pjesë si Koja, Korita, Poprati, Rakiqi, Vrellat, Kakarriqi, Omerbozhajt etj, mos të votojnë (shprehen) për Komunën e Malësisë!
– Nëse i referohemi klasifikimit të formave të referendumit të cituara më lartë, vërejmë në pika të shkurtra: baza juridike është e hartuar nga komisione përkatëse në organe shtetërore me dirigjenca thellësisht politike, duke shkelur minimalisht katër akte juridike që në hierarki do të ishin: Konventa ndërkombëtare për popujt autokton dhe fisnor; Konventa Evropiane për të Drejtat dhe Liritë themelore të Njeriut; Konventa Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, Konstitucioni i Malit të Zi. Nëse i referohemi obligueshmërisë, vërejmë që edhe nëse bëhet referendumi, rezultati i tij nuk është i obliguar për tu respektuar. Kjo lehtëson arsyetimin e Malit të Zi përpara faktorit ndërkombëtar. Nëse i referohemi efektit të vendimit nga referendumi; ai është plotësisht negativ për këto arsye:
1. Nëse nuk kalon referendumi për Komunë, atëherë i hapen rrugët pushtetit që të veprojë politikisht mbi territorin e Malësisë së Madhe duke përfunduar aktin e ndryshimit të strukturës së popullsisë, të plaçkisin pronat, mos të zhvillojnë infrastrukturën, mos të zhvillojnë ekonominë, të rrisin papunësinë, të krijojnë kushtet për “dëbim kolektiv” etj;
2. Edhe nëse referendumi kalon me shumicë votash që Malësia ta ketë Komunën, nuk është i detyruar pushteti Ekzekutiv që ta zbatojë. (shiko më lartë përkufizimin e referendumit konsultativ);
3. Cënohet parimi i sigurisë juridike. Kjo do të thotë që edhe pse shumica e Malësisë (për aq sa u jepet mundësia) mund të shprehet me referendum, mos zbatimi nga ana e qeverisë e vullnetit të votuesëve tregon mos funskionim të shtetit të së drejtës dhe parimit të sigurisë juridike;
4. Cënohet e drejta e votës për të gjithë qytetarët e Malësisë! Ky është edhe një aspekt tjetër për ta trajtuar “referendumin konsultativ” si akt anti-konstitucional!
5. Efekti negativ i referendumit, nëse në mënyrë hipotetike nuk kalon, atëherë Pushteti ka gjithë fuqinë dhe legjitimitetin për të sjellë vendim që mos të themelohet Komuna e Malësisë, sepse vullneti i popullit ka qenë KUNDËR Komunës, etj.
– Nëse i referohemi aspektit kohë: shohim që është plotësisht në duart e qeverisë për të vendosur edhe për datën se kur do të mbahet referendumi. Kjo tregon mos seriozitet dhe lojë të ndyrë me qytetarët e Malësisë. Është kulmi i poshtërimit dhe degradimit të qytetarëve.
Dua të sqaroj edhe mënyrat e fitimit të Komunës së Malësisë pa “referendum konsultativ”:
1. Të eliminohet “referendumi konsultativ” me vendim të Gjykatës Konstitucionale dhe kjo e fundit të detyrojë Qeverinë të respektojë instrumentat ligjorë të brendshëm dhe ndërkombëtar.
2. Me Vendim të Këshillit të Ministrave të Malit të Zi të vendoset që pa asnjë hezitim, pa asnjë zvarritje të mëtutjeshme, të themelohet Komuna e Malësisë.
3. Tirana dhe Prishtina zyrtare, të kërkojnë me këmbëngulje që Malësisë ti jepet Komuna pa asnjë kusht. Si hap i parë duhet që përfaqësuesit tanë politik në Parlamentin e MZ-së dhe në Kuvendin e KU-së të japin dorëheqjen dhe të kërkojnë ndërmjetësimin e Tiranës, Prishtinës, Ambasadës së SHBA-së dhe Ambasadës së BE-së.
4. Të merren në shqyrtim elaboratet e hartuara nga FDI-ja dhe në bazë të tyre të themelohet Komuna e Malësisë. Ne kundërshtojmë rreptësisht hartimin e elaborateve të tjera (që po flitet ditët e fundit se do jenë përsëri), sepse pas elaboratit tonë për Fizibilitetin e Themelimit të Komunës së Malësisë qëndrojnë shumë ekspertë, si të brendshëm ashtu edhe të jashtëm!
5. Të themelohet një grup nga Malësia në bashkëpunim me trojet e tjera shqiptare në Mal të Zi dhe të fillojnë punën për të realizuar këtë ideal në mënyrat e cituara më lartë.
Partitë politike që iu bashkangjiten PDS – së, është dashur që këtë ligj ta godasin në Gjykatën Konstitucionale të Malit të Zi për antikonstitucionalizmin e tij. Fatkeqësisht, ekzistojnë dyshime tek organet e drejtësisë që edhe po të goditej ky akt në Gjykatën Konstitucionale, kjo e fundit do ta linte në fuqi, por nuk kemi të drejtë të paragjykojmë. Në lidhje me këtë të fundit, dua ta përmbledh me një citim të Gjyqtarit të shquar Britanik Lord Bingham i cili ka thënë që: “më të vërtetë ekzistojnë vende ku gjykatat dhe gjyqtarët ishin dakord me qeverinë. Por këto nuk ishin vende ku shumica prej nesh dëshironte të jetonte”!
Iur. Anton Lulgjuraj
Kryetar i Forumit Demokratik për Integrim