Tuz, Malësi (10 Dhejtor) – Rreth gjashtë muaj më parë, publikuam një artikull bashkangjitur me një fotografi në të cilën shihej flamuri i Republikës Popullore të Kinës para një restoranti kinez në Tuz. Ai flamur qëndroi aty për më shumë se një vit. Edhe përkundër Ligjit mbi Rendin dhe Qetësinë Publike, i cili ndalon përdorimin e flamurit, stemës apo simboleve tjera të shteteve tjera, flamuri kinez nuk u largua nga organet kompetente.
Gjatë festimeve të 28 Nëntorit – 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, flamuri kinez u zëvendësua me flamurin Shqiptar, i cili vazhdon të valëvitet.
Nisur nga fakti se flamuri kinez nuk u sanksionua, çdo reagim i organeve kompetente për largimin e flamurit shqiptarë do të dëshmonte se ky ligj diskriminues ka standarde të dyfishta, ku do të theksonte diskriminimin ndaj pakicës shqiptare si popull autokton.
Neni 23 i Ligjit mbi Rendin dhe Qetësinë Publike sqaron se përdorimi i flamurit, stemës apo simboleve tjera të vendeve tjera, pa leje paraprake nga organet kompetente, personi juridik do të dënohet me 2.500 deri në 5000 euro, kurse për personat fizik gjoba do të ishte 100 deri në 500 euro apo 30 ditë burgim. Ky ligj u aprovua në parlamentin e Malit të Zi me 23 dhjetor 2011. /Malesia.Org/