Lideri i “Vetëvendosje”s Albin Kurti dje ishte në Ulqin si ndërmjetës i liderëve të subjekteve politike shqiptare, për krijimin e një koalicioni të gjerë për zgjedhjet parlamentare.
Sipas medieve malazeze, takimi i djeshëm në hotelin “Otrant” në Ulqin i cili zgjati deri në orët e vona të natës, përfundoi pa ndonjë marrëveshje.
Sipas medieve të cilat referohen në fjalët e një pjesëmarrësi të këtij takimi, marrëveshja nuk u arrit si shkak i kërkesave të UDSH-së, të cilët kërkuan të jenë të parët në listë gjë që përfaqësuesit e subjekteve tjera nuk e pranuan. Përfaqësuesit e UDSH-së po ashtu nuk pranuan që mandatin eventual katër vjeçar ta ndajnë me subjektet tjera.
Tjetër mosmarrëveshje ishte rreth pjesëmarrjes eventuale në Qeverinë e ardhshme, ku UDSH nuk ishte e gatshme të pranojnë që për ketë të vendosin me konsensus të gjitha subjektet pjesëmarrëse të koalicionit.
Si shkak i këtyre mosmarrëveshjeve, përfaqësuesi dhe kryetari i UDSH-së Mehmet Zenka u largua nga bisedimet.
Sonte në mesnatë skadon koha për dorëzimin e listave zgjedhore, dhe nëse nuk arrihet ndonjë zgjedhje eventuale, partitë shqiptare në këto zgjedhje do të dalin ne më së pakut 3 kolona.
Në këto bisedime morën pjesë përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike shqiptare dhe të kryetari të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi, Tahir Tahiri.
Albin Kurti, me origjinë nga Ulqini, është lideri i “Vetëvendosjes”, subjekti i dytë më i fortë në parlamentin e Kosovës. /Malesia.Org/