Tuz-Malësi (21/02/2014) – Punonjësit e Korporatës Energjetike të Malit të Zi, të mbështetur nga numër i madh i forcave policore, disa familjeve në Vuksanlekaj kanë shkëputur rrymën dhe kanë ngritur elektro-matësit në maje të shtyllave.
Banorët e Vuksanlekajve të revoltuar nga ky akt i kryer në këtë mënyrë, vlerësuan se kjo vjen pas kërcënimit të kryeministrit Djukanovic i cili ditë më parë tha se shqiptarët do të trajtohen sipas “meritës”.
Aleksandër Camaj vlerëson se kjo është “trajtimi ndryshe për shqiptarët”, gjë të cilën ditë më parë e kishte paralajmëruar Djukanovic, pasi që partitë shqiptare në Ulqin formuan pushtetin me partin Pozitive kurse partia e tij DPS mbeti në opozitë.
Camaj tha se ngritja e elektro-matësve dhe shkëputja nga rryma e disa familjeve në Vuksanlekaj u bë vetëm atyre që nuk votojnë për DPS-në. Ai sqaroi se dje rreth orës 11 punonjësit e Korporatës Energjetike erdhën të shoqëruar me numër të madh të forcave policore me 10 vetura dhe dy furgona, sikur të ishte gjendje lufte.
“Unë nuk shoh ndonjë arsye tjetër përpos përhapje e frikës,” tha Camaj për gazetën Vijesti.
David Camaj i revoltuar nga ky akt tha se nuk janë as kriminel dhe as terrorist që në këtë mënyrë policia të “sigurojnë” fshatin. Ai tha se është të rregull ajo që ngritën elektro-matësit por le ta bëjnë të njëjtën gjë edhe banorëve tjerë. Camaj pyet, çka na bën neve të dallojmë nga tjerët!? /MALESIA.ORG/