Fituesi i Çmimit që ndanë Komuna Urbane e Tuzit këtë vit do të jetë biznesmeni nga SHBA, Hasan Cano Gjokaj, njofton RTCG.
Ky është Çmimi më i rëndësishëm që ndanë KU Tuz i cili do të ndahet nesër, në prag të 15 dhjetorit, në ditën e Komunës Urbane të Tuzit.
Gjokaj ishte edhe i vetmi kandidat për këtë çmim, megjithatë Kryetari i jurisë për ndarjen e çmimit të Komunës Urbane të Tuzit, Dr. Mark Camaj thotë se edhe krahas faktit se Gjokaj ishte i vetmi kandidat për sivjet, kjo nuk e humb rëndësinë, sepse sipas fjalëve të tij, shkon në duart e duhura, meqenëse ky njeri deri tani me investime të shumta po i kontribuon zhvillimit ekonomik në Malësi, pasi që deri tani ka hapur disa objekte afariste ku janë punësuar disa njerëz. Njëkohësisht ishte donatori kryesor i ndërtimit të xhamisë në Milesh, e po ashtu edhe në ndërtimin e Medresesë, po ashtu në këtë fshat, tha Camaj.
Çmimi do ti jepet të birit të tij, pasi që Gjokaj gjendet në SHBA, ndërkohë ai ka paralajmëruar se të hollat nga ky çmim do të ndahen për çështje humanitare. /Malesia.Org/