nga Kristjan Gj. Dukaj
Në vazhdën e aktiviteteve të shumta me rastin e 28 Nëntorit , Ditës së Flamurit kombëtar dhe të njëqindvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë , grupi “Historianët e rinj”, të udhëhequr nga profesori , Mark Junçaj, organizuan një solemnitet në ambientet e shkollës së mesme “25Maji”, në Tuz.
Në praninë e nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle, anëtarët e këtij grupi lexuan kumtesat e përgatitura për të shënuar ngjarjen më të lavdishme në historinë kombëtare, ngritjen e Flamurit kuq e zi, në qytetin legjendar të Vlorës. “Historianët e rinj”, me kumtesat e përgatitura, kishin përfshirë ngjarje të shumta të cilat i paraprinë ngritjes së flamurit kombëtar, duke filluar nga betejat dhe luftrat e shumta të përgjakshme gjatë gjithë periudhës së lëvizjes tonë kombëtare.

Ata , në këtë mënyrë ndriçuan ngajrje dhe personalitete të shumta, të cilat janë përshkruar në historinë tonë kombëtare shumë shekullore dhe e cila rezultoi me pavarësinë e Shqipërisë, para njëqind viteve të plota.
Programi i përgatitur më 28 nëntor, ishte i gërshetuar me këngë dhe vadhe të përzgjedhura nga nxënësit e shkollës, kurse ambienti ku u mbajt ky manifestim ishte i zbukuruar me flamuj të shumtë kombëtarë, të cilët valonin në duartë e nxënësve që festonin këtë ditë të lavdishme të krenarisë sonë kombëtare.
Ishte vërtet kënaqësi e veçantë të shohësh entuziazmin dhe gëzimin e nxënësve të cilët, në këtë mënyrë deshtën ta shënojnë jubileun njëqindvjeçarë të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe i cili u shënua në mënyrë dinjitoze në të gjitha trevat e banuara me shqipëtarë.
Në këtë mënyrë, grupi “Historianët e rinj”, i cili vepron pranë shkollës së mesme ,“25 Maji”, në Tuz, e vazhdoi aktivitetin e vet në shënimin e datave dhe ngjarjeve më të rëndësishme nga e kaluara jonë historike.Shënimi i njëqind vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ishte obligim i të gjithë anëtarëve të këtij grupi, ta shënojmë ashtu si i takon ngjarjes më madhore për çdo popull dhe çdo vend, siç është liria dhe pavarësia shtetërore.
Njëkohësisht, në këtë mënyrë, gjenerata e re e dëshmon , jo vetëm dashurinë ndaj vlerave më të shtrenjta kombëtare, por edhe respektin më të madh ndaj personaliteteve të shquara, të cilët me urtësinë dhe trimërinë e vet të larë me gjak, e shkruan historinë tonë të lavdishme nëpër shekuj.

