Sipas ligjit të ri zgjedhor në Mal të Zi për subjektet apo koalicionet që përfaqësojnë pakicat, janë dy mundësi për fitimin e mandatit për hyrje në parlament. Opsioni i parë është që subjekti apo koalicioni të kalojnë pragun e 3% të votave të përgjithshme. Sipas kësaj, nëse bazohemi në përqindjen e daljes në zgjedhjet e vitit 2009, atëherë subjekti apo koalicioni për të kaluar pragun e 3% do të i duhen 9800 vota, me çka do të fitonte së pakut dy mandate në parlament. Nëse subjekti apo koalicioni kalon pragun e 3%, votat e subjekteve tjera nacionale të cilat nuk e kalojnë pragun e 3%, në këtë rast të listave shqiptare, do të “djegën”, gjegjësisht do të u kalojnë subjekteve apo koalicioneve me më shumë vota si psh subjektit Mali i Zi evropian – Milo Djukanovic, Frontit Demokratik apo SNP, njoftojnë Vijesti.
Në rast se asnjë subjekt apo koalicion nuk e kalon pragun e 3%, opsion i cili është më i pritshëm, atëherë do të numërohen votat e subjekteve apo koalicioneve të cilat do të kalojnë pragun 0.7%. Votat e subjekteve të cilat kalojnë pragun 0.7% bashkohen dhe i shkojnë subjektit apo koalicionit i cili ka fituar më së shumti vota. Në këtë rast në garë për deputet mund të jetë edhe subjekti/koalicioni i cili sipas votave është në vend të dytë. Sipas këtij modeli, votat e subjekteve/koalicioneve të cilat nuk kalojnë pragun e 0.7% djegën.
Bazuar në zgjedhjet e vitit 2009, për 0.7% nevojitën 2700 vota.
Në këtë mënyrë, subjektet më të forta të cilat kalojnë pragun 0.7% mund të fitojnë më së shumti 3 deputet.
Ky është ligji i ri zgjedhor në bazë të së cilit do të garojnë partitë shqiptare në zgjedhjet parlamentare muajin e ardhshëm.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, partitë shqiptare kanë fituar rreth 14.000 vota, ku sipas ligjit të vjetër zgjedhor ata fituan 4 deputet, kurse sipas ligjit të ri zgjedhor nëse do të fitonin po kaq vota edhe në zgjedhjet e ardhshme, shqiptarët mund të fitojnë më së shumti 3 deputet. /Malesia.Org/