Kryetari i partisë “Mali i Zi i Lirë”, Vladislav Dajkoviq, pretendon se është dënuar nga një gjykatë shqiptare për një fotografi të publikuar gjashtë vite më parë në Shkodër, ku shfaqej me flamurin trengjyrësh malazez dhe mbishkrimin: “Përshëndetje nga Shkodra e lashtë serbe”.
Sipas Dajkoviq, fillimisht ai është dënuar me tre vite burg, ndërsa më pas dënimi është ulur. Në deklaratat e tij publike ai e cilëson procesin si të motivuar politikisht, duke pretenduar se nuk ka fyer apo kërcënuar askënd, por vetëm ka shprehur qëndrimet e tij mbi historinë e Shkodrës.
Dajkoviq ka deklaruar se nuk do të paraqitet vullnetarisht para autoriteteve shqiptare, pasi pretendon se rrezikon të arrestohet menjëherë sapo të kalojë kufirin.
“Jam i sigurt se nga ai paraburgim do të dilja në arkivol”, është shprehur ai.
Ai ka kritikuar gjithashtu autoritetet malazeze për mungesën e mbështetjes gjatë procesit gjyqësor, i cili, sipas tij, ka zgjatur rreth pesë vjet.
Dajkoviq ka bërë të ditur se do të ankimojë vendimin e shkallës së parë dhe se nuk ka ndërmend të dorëzohet vullnetarisht te autoritetet shqiptare.
/MALESIA.ORG/


