Se Të rinj nga Ulqini, Malësia, Plava dhe Gucia u mblodhën dje në sallën e Kuvendit të Komunës së Gucisë, ku u zhvillua hapja solemne e projektit „Shkolla e Identitetit dhe Trashëgimisë Kulturore“, një nismë që i dedikohet njohjes, ruajtjes dhe promovimit të gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Ky program, gjatë ditëve në vijim, do t’u ofrojë të rinjve mundësi përmes diskutimeve, ligjëratave, punëtorive dhe aktiviteteve të tjera edukative për të njohur më nga afër trashëgiminë kulturore të trevave shqiptare në Mal të Zi dhe për të reflektuar mbi sfidat që lidhen me ruajtjen e saj.
Në cilësinë e nikoqirit, të pranishmit i përshëndeti z. Asdren Çelaj, nënkryetar i Komunës së Gucisë, i cili mirëpriti të rinjtë dhe pjesëmarrësit e aktivitetit në këtë komunë.
Në emër të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, të pranishmëve iu drejtua z. Arben Xhurreta, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë për Pakica Kombëtare, i cili theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për iniciativa që kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit të popujve pakicë, me një vëmendje të veçantë ndaj rolit të të rinjve.
Një ligjëratë të fokusuar në rolin e shkollës në ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore mbajti z. Fikret Lulanaj, sekretar shtetëror në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit. Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e arsimit në formimin e të rinjve dhe në ruajtjen e lidhjes së tyre me gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë.
Dimensioni i medias dhe mënyra se si identiteti shqiptar përfaqësohet në hapësirën publike u trajtua nga gazetarja e njohur Dafina Teliqi, e cila prezantoi kumtesën me temën „Identiteti shqiptar në mediat tradicionale dhe sociale“. Përmes kësaj teme u hap diskutimi mbi mënyrën se si mediat tradicionale dhe rrjetet sociale ndikojnë në mënyrën se si të rinjtë e njohin, e shprehin dhe e përcjellin identitetin e tyre.
Në panel u diskutua edhe për të ardhmen e trashëgimisë kulturore në trevat e Plavës dhe Gucisë. ArbenitaVukaj u paraqit me temën „Plava dhe Gucia ndërmjet traditës dhe modernitetit: çfarë duhet të ruajmë?“, duke sjellë në fokus sfidat dhe mundësitë që paraqiten në ruajtjen e vlerave tradicionale në një kohë kur mënyra e jetesës dhe nevojat e komunitetit po ndryshojnë.
Një perspektivë nga treva e Rozhajës solli prof. Jetmir Lajçi, i cili foli për sfidat me të cilat përballen të rinjtë e kësaj treve në ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore.
Përvojat nga trevat e ndryshme krijuan një pasqyrë më të gjerë mbi ngjashmëritë, por edhe veçoritë që karakterizojnë komunitetet shqiptare në pjesë të ndryshme të Malit të Zi.
Një pjesë e rëndësishme e panelit ishte edhe përfshirja aktive e të rinjve në diskutime. Ata patën mundësi të japin mendimet dhe këndvështrimet e tyre mbi çështje që i prekin drejtpërdrejt, ndër të tjera mbi përdorimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe tek të rinjtë, si dhe mbi rolin e shkollës në njohjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Ky program i edukimit joformal realizohet nga OJQ „Horizonti i Ri“, me mbështetjen financiare të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, në kuadër të konkursit publik „Identitetet që na lidhin“, në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të popujve pakicë dhe bashkësive të tjera kombëtare pakicë për vitin 2026.


