Në Tiranë u zhvillua sot aktiviteti për marrjen në dorëzim nga Forcat e Armatosura të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri me standardet e NATO-s nga kompania “Timak Defence”.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga flota e mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri për industrinë e mbrojtjes me standarde të NATO-s.
Në fjalën e tij në eventin e organizuar me këtë rast kryeministri Edi Rama e cilësoi si një moment historik për vendin dhe për ushtrinë shqiptare.
“Sot ajo çfarë ishte në vizion dhe në strategjinë e shkruar është e prekshme me sy. Flota e prodhuar në Shqipëri për Forcat tona të Armatosura sipas standardeve të NATO-s nga profesionistë shqiptarë sapo ka nisur të vihet në dispozicion të ushtrisë shqiptare”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se “objektivi është që deri në vitin 2028 ushtria shqiptare të ketë të gjitha mjetet dhe kapacitetet e nevojshme, nga automjetet e lehta, deri te sistemet më të avancuara, sipas standardeve të NATO-s”.
Rama e vuri theksin edhe tek mbrojtja e hapësirës ajrore duke theksuar se “siç e kemi premtuar, mbrojtja e qiellit, në samitin e NATO-s, ku do të jetë edhe presidenti i SHBA-së – e dini edhe ju si mbrohet nga qielli – mbrojtja e qiellit do të bëhet me dronë superinteligjentë të prodhuar në Shqipëri, “Made in Albania””.
Gjithashtu, Kryeministri Rama është shprehur se “nuk ka gjë më emocionuese sesa të shikosh listën e vendeve të cilat kanë bërë porositë tanimë te TIMAK Defence. Tridhjetë vende, vende të NATO-s, Kombet e Bashkuara, Banka Botërore, i drejtohen sot Shqipërisë këtu në Tiranë, në një vend që deri dje ishte një gërmadhë, gërmadha e autotraktorëve të famshëm, për të marrë mjete të prodhuara po këtu, falë vizionit, falë kurajës, falë punës së jashtëzakonshme, vullnetit dhe falë edhe një kokëfortësie shembullore të një vajze nga Bulqiza”.
Falë partneritetit konkret midis KAYO dhe TIMAK ka lindur shoqëria TIMAK Defense, e cila sot 3 muaj përpara afatit, dorëzoi 40 mjetet e para të prodhuara në Republikën e Shqipërisë.
Janë 35 mjete të vogla 4+1 si edhe 5 kamionë, që iu dorëzuan para afatit Forcave të Armatosura.



