Shqipëria dhe Kosova po thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, duke synuar edhe bashkëprodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, në përputhje me standardet e NATO-s.
Pas një takimi në Prishtinë mes ministrit të Mbrojtjes të Shqipërisë, Ermal Nufi, dhe homologut të tij kosovar, Ejup Maqedonci, u theksua se ky bashkëpunim konsiderohet kyç për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe sigurisë në rajon.
Ministri Maqedonci bëri të ditur se dy vendet janë duke shqyrtuar konkretisht mundësitë për bashkëprodhim në industrinë ushtarake, si dhe për prokurime të përbashkëta, me qëllim rritjen e ndërveprueshmërisë dhe sigurimin e pajisjeve cilësore.
Një nga projektet kryesore në Kosovë është ndërtimi i një fabrike për prodhimin e municioneve në Jahoc të Gjakovës, ku prodhimi i parë pritet të nisë deri në fund të vitit 2026.
Nga ana tjetër, Shqipëria ka ndërmarrë hapa drejt zhvillimit të industrisë së saj ushtarake, përfshirë prodhimin e dronëve luftarakë dhe projekte të tjera në fushën e mirëmbajtjes dhe ndërtimit të mjeteve ushtarake.
Sipas ministrit Nufi, bashkëpunimi në këtë sektor është thelbësor jo vetëm për zhvillimin industrial dhe teknologjik, por edhe si një simbol i partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Ky bashkëpunim parashihet edhe në marrëveshjet rajonale të sigurisë, ku përfshihet edhe Kroacia, duke synuar forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe afrimin me standardet e aleancës euroatlantike.


