Të martën me datë 17.02.2026, në ambientet e Hotelit Nobel në Ulqin, u bë inaugurimi zyrtar i projektit “Të rinjtë liderë – nga ideja tek ndikimi”, nga OJQ Horizonti i Ri, projekt ky i cili synon fuqizimin e të rinjve dhe rritjen e rolit të tyre aktiv në komunitet dhe në proceset vendimmarrëse.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të qeverisjeve vendore, të shkollave të mesme, institucioneve publike,mësimdhënës si dhe aktivistë të rinj nga Ulqini dhe Tuzi të cilët theksuan rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në jetën publike dhe zhvillimin e iniciativave lokale.
Takimi u hap me fjalë mirëseardhjeje dhe prezantimin e projektit nga ekipi realizues, ndërsa më pas vijuan fjalimet përshëndetëse nga përfaqësuesit e institucioneve: Edon Çaushi nga Komuna e Ulqinit, Kristjan Gjokaj nga Komuna e Tuzit, Marina Kastrati nga Qendra për Punë Sociale – Ulqin, ArditaKovaçeviq nga Shkolla e Mesme “Vëllazërimbashkim” Ulqin dhe Sehad Lulanaj nga Gjimnazi “25 maji” Tuz.
Gjatë aktivitetit u prezantuan objektivat dhe aktivitetet e projektit, i cili do të përfshijë trajnime, hulumtime, vizita studimore me të rinjtë.
Pas pjesës zyrtare u zhvillua diskutimi i hapur me pjesëmarrësit e projektit, ku të rinjtë prezantuan ide dhe sfida me të cilat përballen në komunitetet e tyre, si dhe mënyrat konkrete për t’i shndërruar ato në iniciativa me ndikim real. Aktiviteti përfundoi me një drekë të përbashkët dhe rrjetëzim ndërmjet pjesëmarrësve.
Projekti zbatohet nga OJQ “Horizonti i Ri” në partneritet me OJQ “Këndi i Tolerancës”, në kuadër të Thirrjes Publike “Tërinjtë – krijuesit e së ardhmes” për financimin e projekteve dhe programeve të organizatave joqeveritare në fushën e kujdesit shoqëror për fëmijët dhe të rinjtë për vitin 2025, mbështetur nga Ministria e Sportit dhe e Rinisë.




