Ndër individët e dalluar në mërgatën shqiptare në SHBA, bën pjesë edhe Xheladin Zeneli, i cili veçohet me publikimin e artikujve, eseve, analizave e vështrimeve në mediat e shkruara dhe elektronike, në një periudhë prej tri dekadash. Deri më tash opinionit i është prezantuar me tri botime të veçanta: “Diaspora dhe vendlindja” (2011), “Shqiptarët në Mal të Zi – popull i rrezikuar” (2019) dhe “Diskursi politik dhe kombëtar” (2023)
Shkruan: Nail Draga
Si librat e mëparshëm, edhe ky i fundit preokupim kryesor ka pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Malin e Zi, si popull autokton dhe numerikisht i vogël në krahasim me popullsinë e përgjithshme në këtë mjedis. Por, pavarësisht rrethanave shoqërore e politike në Mal të Zi, shqiptarët arritën të sfidojnë politikën e pushtetit duke mbijetuar, çështje e cila trajtohet nga autori në shumë aspekte në këtë botim.
Koha e ndryshimeve
Një qasje e tillë nga autori nuk ka si të jetë ndryshe, sepse ai për një kohë të shkurtër, në vitet 1990/1991 ishte deputet në Kuvendin e parë pluralist në Mal të Zi, duke qenë përfaqësues autentik i shqiptarëve përmes LD në MZ-së. Kemi të bëjmë me kohën e ndryshimeve të mëdha shoqërore e politike, pas dështimit të ideologjisë komuniste e sistemit socialist edhe në Mal të Zi, përkatësisht në ish-Jugosllavi.
Ndonëse në Mal të Zi ligjërisht u miratua pluralizmi politik, te pushtetarët vazhdonte mendësia e kohës së monizmit, sepse pushtetin e kishte ajo parti që ishte më parë, por kësaj here me emër të ndryshuar, nga Lidhja Komuniste Jugosllave në Partinë Demokratike të Socialistëve. Në parlamentin e parë pluralist në Mal të Zi, i dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 9 dhjetor 1990, shqiptarët u përfaqësuan me katër deputetë si përfaqësues autentikë të tyre. Dhe prej tyre për të parën herë në Parlament u dëgjua për kërkesat e shqiptarëve për barazi qytetare e kombëtare sipas standardeve ndërkombëtare, e jo sipas klisheve të kohës së monizmit.
Tema autentike
Artikujt e prezantuar në këtë botim përfshijnë përiudhën kohore 2017-2021, duke ofruar të dhëna me interes për shqiptarët në hapësirën e tyre etnogjeografike. Në këtë kuadër është konceptuar edhe libri, të cilin autori e ka ndarë në gjashtë pjesë. Një veprim i tillë është i logjikshëm, sepse secili kapitull ka tema që janë autentike për mjedisin përktatës.
Përmes vështrimeve e analizave, autori ofron të dhëna duke demaskuar politikën e pushteteve, si në Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri, Ulqin, duke përfunduar me mërgatën shqiptare në SHBA dhe me reflektime, që janë dëshmi e diskursit në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi.
Mërgata, e preokupuar për vendlindjen
Ndonëse i angazhuar në punën e përditshme, Xh. Zeneli nuk ka qenë statik, por ka përcjellë me kujdes rrethanat shoqërore e politike, jo vetëm në vendlindje por edhe më gjerë në hapësirën etnogjeografike shqiptare. Çështjet e trajtuara nuk janë vetëm të dimensionit lokal por më gjerë, ku pozita dhe statusi i shqiptarëve janë çështje preokupuese edhe për mërgatën shqiptare, sepse me të drejtë është pritur që në pluralizëm të ndodhin ndryshime pozitive sipas standardeve ndërkombëtare.
Por, të gjithë jemi dëshmitarë se mendësia e kohës së monizmit ka infektuar skenën politike, ku pasojat janë të pranishme edhe në pluralizëm. Edhe pse nuk mund të mohohen disa ndryshime, ato më së shumti janë kozmetike, sepse shqiptarët në Mal të Zi kërkojnë barazi qytetare e kombëtare, si kudo në vendet demokratike.
Pikërisht në lidhje me këtë çështje autori na ofron të dhëna me interes në lidhje me mërgatën shqiptare, duke propozuar një program të veprimit të tyre në raport me trojet etnike shqiptare në Mal të Zi, si dhe t´i mundësohet diasporës shqiptare votimi nga vendi i tyre i qëndrimit dhe përfaqësimi i tyre jopolitik në kuvendet përkatëse në vendlindje. Një veprim i tillë do ta afronte mërgatën me vendlindjen, me mundësi reale të investimit dhe rikthimit të tyre në vendlindje.
Çështja shqiptare në Kongresin amerikan
Në lidhje me këtë çështje, me interes janë të dhënat për Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA) lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, drejtuar nga presidenti i saj z. Joseph Dioguardi dhe znj. Shirley Dioguardi, këshilltare për çështje të Ballkanit.
Ishte meritë e mërgimtarëve tanë në SHBA dhe e LQSHA-së, së bashku me kongresmenin Tom Lantosh, që vizituan viset shqiptare në Mal të Zi në fillim të muajit gusht 2003, për t’u njoftuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me pozitën dhe statusin e shqiptarëve në këtë mjedis.
Po ashtu, në saje të angazhimit të LQSHA-së në Kongresin Amerikan (Komisioni për të Drejtat e Njeriut, drejtuar nga Tom Lantosh, në Washington DC më 30 tetor 2003 është organizuar një seancë dëgjimore me temën “E ardhmja e shqiptarëve në Mal të Zi”, ku kanë kumtuar Sh. Dioguardi, Xh. Zeneli, N. Draga dhe A. Lajçaj.
Një organizim i tillë ishte i arsyeshëm, sepse pas zgjidhjes së çështjes së Kosovës, edhe për shqiptarët në Malin e Zi duhej ngritur zëri për të njoftuar opinionin politik në SHBA, se shqiptarët kërkojnë të realizohet barazia qytetare e kombëtare sipas standardeve ndërkombëtare, ku roli i mërgatës sonë atje, si më parë edhe tash, ka një rol të veçantë.
Përfundim
Duke lexuar këtë libër del qartë se çështjet e trajtuara kërkojnë zgjidhje të drejtë, por për diçka të tillë duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit. Në këtë aspekt, përgjegjësi kanë edhe subjektet politike të shqiptarëve në Mal të Zi, që janë pjesë e qeverisë nga viti 1998, të cilët duhet të jenë këmbëngulës në kërkesat e ligjshme lidhur me avancimin e pozitës dhe statusit të shqiptarëve në këtë mjedis.
Çdo ngurrim në këtë drejtim nuk mund të arsyetohet me asgjë, sepse ata aty janë votuar e zgjedhur për t’i mbrojtur interesat e shqiptarëve e jo ato personale. Por, derisa pushteti ngurron të ballafaqohet me kërkesat e ligjshme të shqiptarëve për barazi qytetare e kombëtare, çështja shqiptare në Malin e Zi mbetet e hapur.
Pikërisht duke marrë parasysh këtë diskurs politik e kombëtar, nuk ka dilemë se autori do të vazhdojë me publikimin e artikujve të ndryshëm, që do të jenë pjesë e librit të radhës.



