Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Serbia më mirë se kurrë më herët e ka kuptuar se Kosova është shtet, edhe pse vazhdon ta refuzojë njohjen. Ai, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, akuzoi edhe partitë opozitare se për shkak të mungesës së bashkëpunimit të tyre, vendi shkoi dy herë në zgjedhje vitin e kaluar. Derisa ka theksuar se populli i Kosovës, sipas tij, refuzon të kthehet “në epokën e korrupsionit”.
Ai tha se kontribuuesi i destabilitetit në rajon përmes Serbisë është Federata Ruse.
“Nga katër fqinj që kemi si Republika e Kosovës, tre na njohin. Vetëm Serbia nuk na njeh dhe nuk duket se do ta bëjë së shpejti. Edhe pse mendoj se e kuptojnë më mirë se kurrë që jemi shtet tjetër. Realiteti ka ndryshuar shumë. Por ajo që duhet të ndodhë është që të shuhet ëndrra e tyre për kthim. Po ashtu, kontribuuesi i saj është Perandoria Ruse, apo ajo që është tash Federata Ruse. Perandoria Ruse nuk dëshiron fqinj, por është e pamundur që të mos kesh fqinj”, tha ai.
Krahas kësaj, ai akuzoi opozitën sa i përket zgjedhjeve të reja, duke nënvizuar se mungesa e bashkëpunimit nga ana e tyre i solli zgjedhjet e reja dhe rezultatin e mirë për të, ku mori mbi 51 për qind të votave.
Në anën tjetër, Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij qeverisës e ka trashëguar një situatë me korrupsion endemik, andaj sipas tij, populli i Kosovës refuzon që të kthehet në të ardhmen në atë gjendje.
Ai theksoi se askush brenda kabinetit qeveritar të tij s’e ka as imagjinatën më të vogël të përfshirjes në çfarëdo shkalle të korrupsionit.
“Ne e kemi trashëguar një situatë kur korrupsioni ka qenë endemik. Ka rezistencë dhe qëndrueshmëri të fortë të njerëzve që të mos kthehen kurrë më aty. Pra, shpresa jonë janë njerëzit; që ata do ta njoftojnë sistemin dhe publikun për korrupsionin që e hasin. Askush, absolutisht askush brenda kabinetit të ministrave s’e ka as imagjinatën më të vogël të përfshirjes në çfarëdo shkalle të korrupsionit, prandaj duhet të udhëheqim me shembuj”, përfundoi ai.
Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka fituar 51.11 për qind të votave.


