Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi ka dalë hapur kundër iniciativës për të ndryshuar emrin e shkollës së mesme “25 Maji” në Tuz, në “Besa Malësia”.
Iniciativa u nis nga maturantët e parë të gjimnazit të dikurshëm “25 Maji” dhe mori mbështetje unanime nga Këshilli i shkollës, ndërsa drejtuesit e institucionit u shprehën të hapur edhe për propozime të tjera.
Megjithatë, ministrja Angjella Jakshiq Stojanoviq theksoi se Ministria nuk do të mbështesë ndryshimin e emrave të shkollave ekzistuese duke e konsideruar “25 Majin” pjesë të trashëgimisë historike dhe kulturore që duhet të ruhet.
Në fakt, emri “25 Maji” është imponim i kohës së komunizmit. Nuk është datë e rastësishme, por një trashëgimi e drejtpërdrejtë e epokës së Jugosllavisë socialiste dhe kultit të Titos.
Kundër ndryshimit ka dalë edhe DPS në Tuz, e cila ka paralajmëruar se heqja e emrit aktual rrezikon të krijojë ndarje në komunitet, ndërkohë që përkrahësit e iniciativës theksojnë nevojën për një emër që lidhet drejtpërdrejt me traditën e Malësisë.
/MALESIA.ORG/