Tuz, 9 shtator 2025 – Nën organizimin e Komunës së Tuzit, sot u hap Panairi i 6-të i Librit, i cili do të zgjasë deri më 12 shtator 2025, në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Programi i këtij edicioni përfshin lexime për të rritur dhe fëmijë, biseda me autorë, promovime librash si dhe diskutime kulturore mbi rolin e librit dhe letërsisë në shoqërinë bashkëkohore.

Hapjen e panairit e beri kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.
“Kisha kënaqësinë të hap Panairin e 6-të të Librit në Komunën e Tuzit, ngjarje tashmë tradicionale që promovon kulturën, dijen dhe dashurinë për librin. Faleminderit autorëve, botuesve dhe të gjithë pjesëmarrësve për kontributin dhe praninë e tyre.” – shkruan Gjelaj.
Në ceremoninë e hapjes u bë edhe promovimi i librit “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe shtetndërtimi”, i autorit dhe ish-presidentit të Kosovës, prof. dr. Fatmir Sejdiu. Për librin folën vetë autori dhe dr. Ibrahim Berisha, ndërsa moderatore ishte Rina Muhaj.
Këtë vit në panair marrin pjesë 38 shtëpi botuese.
Ky panair tashmë është shndërruar në një traditë të rëndësishme kulturore në Malësi, duke sjellë së bashku autorë të njohur, botues dhe lexues nga trevat shqiptare dhe më gjerë.
/MALESIA.ORG/

