Organizatat shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes një letre të hapur, kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, për të mos dekretuar Ligjin mbi Tatimin e Patundshmërive, duke e cilësuar këtë hap si një akt politik anti-shqiptar dhe të drejtuar drejtpërdrejt kundër Komunës së Tuzit dhe më gjerë, komunave shqiptare në Mal të Zi.
Letra është nënshkruar nga Shoqata Malësia e Madhe NY, Malësia e Madhe MI, Malësia Kaliforni dhe Jehona e Malësisë.
Në reagim theksohet se mosdekretimi i ligjit pengon të ardhurat e qëndrueshme dhe legjitime për komunën e Tuzit dhe atë të Ulqinit, duke pamundësuar zhvillimin ekonomik dhe funksionimin e institucioneve vendore shqiptare. Organizatat vlerësojnë se ky vendim është vazhdim i një politike të vjetër që synon të bllokojë perspektivën e zhvillimit të shqiptarëve në Mal të Zi.
Gjithashtu, në letër rikujtohet se mbi 70% e territorit të kompanisë shtetërore “Plantaže” ndodhet në brenda Komunës së Tuzit, por kjo kompani, sipas organizatave, nuk ka kthyer kurrë mbrapsht të ardhurat e saj ndaj kësaj komune, gjë që e shohin si një padrejtësi të qëllimshme.
Organizatat shqiptare akuzojnë Presidentin Milatoviq edhe për “devijim të debatit” duke e quajtur kërcënim deklaratën e kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ndërkohë që kërkesat për barazi dhe respektim të ligjit po paraqiten si rrezik.
Në fund të letrës, organizatat i bëjnë thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të angazhohen në zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke kërkuar rikthimin e menjëhershëm të ligjit në Kuvend dhe miratimin e tij në përputhje me vullnetin e shumicës parlamentare. Po ashtu, theksohet se komunat shqiptare nuk duhet të shihen si “plaçkë për pazare politike”, por si hapësira që kërkojnë barazi dhe dinjitet për qytetarët e tyre.