KF Deçiqi ka pësuar humbje në ndeshjen e parë të raundit të dytë të kualifikimeve për Ligën e Konferencës Europiane, duke u mundur me rezultatin 0–2 nga gjiganti austriak Rapid Wien.
Takimi u zhvillua mbrëmjen e 24 korrikut në stadiumin “Besa” të Tuzit, përpara një publiku të zjarrtë vendas që mbushi shkallët e stadiumit.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat, por miqtë arritën të zhbllokojnë rezultatin në minutën e 16‑të me një goditje të saktë të mbrojtësit Jannes Horn. Epërsia e austriakëve u dyfishua në minutën e 40‑të, kur Matthias Seidl shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke e çuar rezultatin në 0‑2.
Pavarësisht përpjekjeve në pjesën e dytë për të rikthyer balancën, Deçiqi nuk arriti të gjejë rrugën e golit. Ky rezultat e vendos Deçiqin përballë një sfide të madhe në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet javën e ardhshme në Vjenë.
Për të kaluar në raundin e tretë të kualifikimeve, Deçiqi do të duhet të realizojë një përmbysje historike ndaj një prej klubeve më me traditë në futbollin austriak dhe europian.
/MALESIA.ORG/