Shkruan: Mark Lucgjonaj
Mërgata shqiptare, veçanërisht ajo nga Malësia, meriton një studim të veçantë për këtë kontribut, sepse përndryshe, shumë fakte do të humbasin. Emrat e shumë individëve që punuan me shumë mish e shpirt për atdheun, do të shuhen bashkë me veprën e tyre, e kjo nuk na shërben.
Shembujt e mirë duhen ruajtur, trashëguar e promovuar, sepse nga këta mësojmë. Kosova u çlirua. Ndërkohë, shqiptarët në Mal të Zi, që prisnin më të keqen nga Batalioni famëkeq i njohur si “Batalioni i Shtatë”, i formuar nga vullnetarë për të vrarë shqiptarë, nuk e panë të realizohej dëshira e përgjakshme për spastrim etnik. Diplomacia dhe puna e mençur e Gjukanoviqit gjatë kësaj kohe ishte mbresëlënëse, pasi ai ia doli që ta nxirrte Malin e Zi nga katrahura e Jugosllavisë, pa luftë dhe me shumë pak viktima. Por shqiptarët në Malin e Zi, si edhe në troje të tjera, vazhduan të largoheshin masivisht. Këto largime ishin të dhimbshme, sepse ajo rini që largohej, rrallëherë kthehej në trojet e veta.
Pasi shqiptarët në Kosovë u çliruan nga lufta e UÇK-së dhe aleatëve të NATO-s, ishin shqiptarët në Maqedoni ata që nuk mund të duronin më padrejtësitë që po u bëheshin nga maqedonasit. Organizimi i mërgatës dhe Shqipërisë vazhdoi edhe për ta, por tani me një dorë shtesë – atë të Kosovës. As sot nuk njihen mirë nga shqiptarët jashtë Maqedonisë ngjarjet e masakrat që kanë ndodhur me shqiptarët atje. Por pas nënshkrimit të paqes, gjendja e shqiptarëve në Maqedoni filloi të ndryshojë. Gjatë kësaj kohe, shkollat, universitetet dhe zhvillimi kulturor në mbarë shqiptarinë ishin të paralizuara. Në fakt, studentët diplomoheshin, por një numër i madh i tyre largohej, ose edhe ata që mbeteshin, përballeshin me kushte dhe rrethana jonormale, e jeta e tyre linte shumë për të dëshiruar.
Pas shpalljes së Pavarësisë nga Mali i Zi, për shqiptarët nisi një kapitull i ri – një luftë politike me qeverinë e Gjukanoviqit, të cilit i kishin qëndruar besnikë për afro 25 vite. Tashmë kërkonin të drejtat e tyre si popull autokton, paqedashës, e që ishte i vetmi që nuk fliste sllavisht. Të drejtat e tyre u avancuan sadopak, por duhej pritur deri në rënien nga pushteti të Gjukanoviqit (thuajse plotësisht, pasi humbi zgjedhjet), që shqiptarët të fitonin disa të drejta si: përdorimin e gjuhës shqipe në administratë në komunat ku përbënin 5% të popullsisë, përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar dhe festimin e festave të tyre kombëtare. Para shpalljes së Pavarësisë nga Mali i Zi, kur në pasaportë ende figuronte emërtimi “Serbia dhe Mali i Zi”, në vitin 2004 në Podgoricë u hap Programi i Mësuesisë në Gjuhën Shqipe në kuadër të Universitetit të Malit të Zi, ku mësimi zhvillohet 80% në gjuhën shqipe dhe 20% në atë malazeze. Profesorët erdhën kryesisht nga Shkodra, falë bashkëpunimit të dy universiteteve.
Fitorja më e madhe e shqiptarëve në Mal të Zi, që nga shpallja e Pavarësisë – ku vota e tyre ishte vendimtare – është themelimi i Komunës së Malësisë, me emërtimin Komuna e Tuzit. Malësisë iu dha e drejta për vetëqeverisje lokale, duke u ndarë nga Komuna e Podgoricës dhe ajo e Gollubovcit.
Megjithatë, përveç shumë diskriminimeve, iu mohua e drejta për t’u quajtur “Komuna e Malësisë”. Gjashtë vite më pas u themelua Komuna e Zetës, por aty s’ngeli emri “Gollubovac”; iu dha e drejta ta quajnë “Komuna e tyre” me emrin e lashtë dhe historik të rajonit. Megjithatë, që nga themelimi i Komunës, shqiptarët në Malësi kanë bërë të gjithë dokumentacionin e administratës në gjuhën shqipe, ndonëse në Ulqin, që kishte vetëqeverisje lokale prej dekadash, administrata mbante kryesisht gjuhën malazeze. Zhvillimi i Malësisë nisi me një hov të madh. Mërgata e Malësisë dha shembullin më të bukur në rajon për mënyrën si duhej udhëhequr vendi dhe si duhej vepruar për vendlindjen. Në zgjedhjet e para të Komunës së lirë, ata udhëtuan dhe mbështetën partitë shqiptare, dhe për herë të parë në histori administruan Malësinë.
Edhe në raundin e dytë, partitë shqiptare dolën edhe më të forta dhe, pa nevojë për koalicion, vazhduan mandatin e tyre. Për herë të parë u formuan lidhje kulturore, shkencore e administrative me Shqipërinë dhe Kosovën. Komuna e Tuzit organizoi Panairin e parë të Librit në Malësi, mirëpriti aktivitetin vjetor të Arkivit Shtetëror të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe organizime të Unionit të Bashkive dhe Komunave Shqiptare në Rajon (ku u anëtarësua). U botua monografia për figura kulturore si Gjelosh Gjokaj dhe një monografi për Xhubletën, për të cilën u organizua një ngjarje kulturore me përmasa kombëtare. Ekipi i futbollit “Deçiq” u ngrit nga kategoria e dytë në atë elitare, u shpall kampion i Malit të Zi dhe fitoi Kupën e Malit të Zi, duke luajtur edhe ndaj klubeve evropiane dhe duke fituar pikë në duelet kokë më kokë. U ndërtua stadiumi i ri, u përmirësuan ujësjellësit për zonat rurale; u rinovua infrastruktura rrugore me asfaltim në gjithë Malësinë. U ndërtua Sheshi “Gjergj Kastriot – Skënderbeu”, i financuar nga Bashkia e Tiranës, dhe në të u vendos përmendorja e tij, gjithashtu financuar nga mërgata shqiptare.
Rruga drejt Bashkimit Evropian po avancon, veçanërisht për Malin e Zi dhe Shqipërinë. Duke pasur ura dhe kanale të bashkimit, është koha që kultura shqiptare të mbështetet nga shtetet përkatëse, duke i lënë pavarësi veprimit akademik, kulturor dhe artistik – në një qendër bashkëkombëtare. Qeveritë e rajonit dhe donatorët e BE-së dhe SHBA-së mund të ndihmojnë akademitë, arkivat, universitetet, muzetë, shtëpitë e kulturës, botuesit, festivalet koreografike e përkthimore etj., për të ndërtuar një të ardhme bashkëkohore dhe të qëndrueshme.
Sipas regjistrimit të fundit në Mal të Zi, shqiptarët përbëjnë 4.97% të popullsisë: 15 078 në Ulqin, 8 119 në Tuz, dhe në pakicë në komunat tjera: Guci (1 352), Rozhajë (1 176), Plavë (853), Tivar (1 919), Podgoricë (1 780), në total 30 978 shqiptarë të deklaruar. Në Shqipëri jetojnë 2 186 917 banorë (94% shqiptarë të deklaruar). Në Kosovë ka rreth 1 457 000 shqiptarë. Në Maqedoninë e Veriut janë 446 245, ndërsa në Serbi 61 687 shqiptarë të regjistruar.
Nëse shqiptarët në Ballkan udhëhiqen nga një politikë e mençur dhe diplomaci vigjilente, me një platformë bashkëpunimi kulturore, artistike dhe shkencore, kjo do të forconte statusin e tyre në rajon dhe mërgatë. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, mërgata mund të investojë dhe të rikthehet në vendlindje. Ky është një vizion afatgjatë: një komb prej 4 milionësh brenda Ballkanit, që do t’i kontribuonte paqes dhe stabilitetit, duke treguar se shqiptarët janë popull paqedashës dhe jo diskriminues.
Nëse vazhdohet me trendin aktual – me lëvizje të popullsisë, rënie demografike – brenda 20 vjetësh popullsia shqiptare mund të përgjysmohet. Në Mal të Zi dhe Serbi mund të zhduken, ndërsa në Shqipëri dhe Kosovë do të mungojë fuqia punëtore. Në Maqedoninë e Veriut do të ketë rënie për shkak të largimit dhe asimilimit. Kjo është për shkak të sistemeve edukativo-universitare të dobëta. Për rrëmbimin e standardit gjuhësor, ripastrimin e historisë dhe edukimin e brezave të rinj me të vërtetën historike, nevojiten shkolla dhe universitete të forta. Unë shpresoj që intelektualët shqiptarë të marrin pushtetin – sepse nëse hyjmë në BE si një komb gjysmak, rrezikojmë të shuhemi.