• Rreth Nesh
  • Marketing
  • Kontakti
  • stafi@malesia.org
E shtunë, 28 Mars, 2026
  • Login
Malesia Org
Advertisement
  • Hyrje
  • Lajme
  • Opinione/Editoriale
  • Etnike/Rajoni/Bota
  • Mërgata
  • Kulturë
  • Sport
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
  • Hyrje
  • Lajme
  • Opinione/Editoriale
  • Etnike/Rajoni/Bota
  • Mërgata
  • Kulturë
  • Sport
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
MALESIA.ORG - Tuz, Malësi
No Result
View All Result
Home Opinione/Editoriale

Në shënjestër zhvlerësimi i etosit dhe asgjësimi i etnosit

28 Mars, 2026
in Opinione/Editoriale, Headline
Në shënjestër zhvlerësimi i etosit dhe asgjësimi i etnosit

Screenshot

Share on FacebookShare on Twitter

Shkruan: Robert Camaj

Nuk e di sa është e udhës që çështje të imagjinuara keq në rrjetet sociale të sillen në një gazetë që shtypet për t’u memorizuar, por hedhja e breshërive mbi një figurë kombëtare dhe personazh aktiv i kohës së vet që e lartëson atë duke e lidhur me flamurin kombëtar shqiptar, të nxit që të themi të gjithë tonën. Dedë Gjon Luli, i përfoluri i këtyre kohëve, në këtë rast jo me qëllim që të glorifikohet ai e sa herë që lartësohet Malësia përmes tij, por kësaj here dikush dëshiron të njollosë emrin e tij e me dashakeqësi ta vendosë mbi piedestal që nuk është ai i ngritjes së përmendores së merituar kudo që ka vend për flamur shqiptar, por vihet në ballë të goditjeve që tentojnë ta komprometojnë atë. E gjithë kjo kryhet pa kontekst historik, pa racionalitet dhe me shumë dashakeqësi, sepse jeta e gjatë e një njeriu të madh është si një kështjellë me shumë salla, por edhe dalje të nëndheshme duke pasur parasysh kalatë që kurrë nuk i janë zaptuar.
Kalaja që nuk i zaptohet, as kontestohet Dedë Gjon Lulit është Flamuri kombëtar shqiptar që u ngrit në Bratilë, më 6 prill të vitit 1911. Ai flamur sot është simbol i një shteti dhe i një kombi në të gjitha shtetet, pranë flamujve tjerë në OKB, NATO dhe kudo ku shqiptari ka aleanca dhe miqësi. Kryengritja që organizoi Dedë Gjon Luli prodhoi Memorandumin e Greçës, ku për të parën herë kërkesat i kapërcejnë kufijtë e fiseve, sanxhakut dhe vilajetit, kishin të bënin me Shqipërinë e ëndrrave të shqiptarëve, por Shqipëria u bë dhe Dedë Gjon Luli u cilësua nga kryefirmëtari i Vlorës si “pushkë e ngrehun për Shqipërinë“. Prandaj Dedë Gjon Luli krijoi me jetën dhe veprën e vet kalanë, që është Shqipëria, si atdheu shpirtëror i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se goditësit e Dedë Gjon Lulit janë sot ata që e mohojnë Shqipërinë si shtetin amë, kurse Dedë Gjon Luli nuk ka nevojë për afirmitetin tonë, por ne kemi nevojë për të.
Me Dedë Gjon Lulin – heroin kombëtar luhet që të vihet në pyetje etosi i malësorit, gjërat në të cilat kanë besuar shqiptarët dhe e kanë krijuar me shekuj, sepse etosi është shpirti moral i një bashkësie, tërësia e vlerave që i japin formë karakterit kolektiv. Që nga koha e Aristotelit, “ethos“-i u kuptua si autoritet moral që lind nga karakteri. Më vonë, Max Weber tregoi se një sistem vlerash mund të përcaktojë fatin historik të një shoqërie, siç argumenton në “The Protestant Ethic and the Spirit of Capitalism“. Pra, etosi nuk është thjesht traditë – është energjia morale që orienton veprimin dhe qëndrimin e një populli ndaj jetës, pushtetit dhe tjetrit. Në rastin shqiptar, etosi i malësorit është mishëruar në besë, mikpritje, trimëri, nder dhe ndjenjë të fortë autonomie, prandaj nuk goditet rastësisht dhe pa qëllim Dedë Gjon Luli.
Etosi nuk përfshin vetëm këto. Ai përbën edhe sistem vlerash që u përmblodhën në Kanunin e Lekë Dukagjinit, ku fjala e dhënë ka fuqi ligji dhe miku është i paprekshëm. Edith Durham, në “High Albania“, e përshkruante me admirim këtë ndjenjë nderi që mbante të lidhur shoqërinë e maleve edhe në mungesë të shtetit.
Margaret Hasluck vërejti se mikpritja shqiptare ishte institucion moral që siguronte rend dhe siguri, edhe pse ai u bë edhe objekt manipulimi, prandaj shënjestrohet Dedë Gjon Luli që të zhvlerësohet etosi e të asgjësohet etnosi. Fuqitë fqinje dhe administratat pushtuese e kanë kuptuar në të kaluarën, por edhe e dinë se për ta nënshtruar malësorin nuk mjaftonte forca ushtarake, duhej goditur struktura morale. Një nga mënyrat ishte keqpërdorimi i besës dhe këto struktura nuk mbahen pa heronj që janë të prekshëm, para syve tanë, sepse me ta na lidh beteja e përbashkët dalë nga trupi ynë e gjaku i atyre që u derdh është gjeni jonë.
Goditja mbi aurorën e Dedë Gjon Lulit është strategji. Kush nuk e ka kuptuar sot këtë kurth që zgjat motmote, nuk do ta kapë as në të ardhmen, në veçanti mbi ne që nuk dimë të dalim nga klanet. Ndër të tjera del qartë se goditja e etosit të malësorit është nxitja e ndarjeve fisnore. Studiues si Noel Malcolm dhe Robert Elsie kanë theksuar se struktura fisnore, që në thelb ishte mekanizëm vetëqeverisjeje dhe solidariteti, në periudha të caktuara u shfrytëzua nga jashtë për politikën e “përçaj e sundo”. Duke ushqyer rivalitete lokale, duke mbështetur njërin fis kundër tjetrit krijohej dobësim i unitetit kombëtar, e kundërta e mësimeve të Dedë Gjon Lulit i cili u priu kuvendeve të bashkimit.
Me shpërbërjen e Dedë Gjon Lulit avullon edhe koncepti i trimërisë, ku me qëllim manipulohet me gozhdën e fortë të malësorit që i jep atij moral, sepse Kryengritja e Malësisë së Madhe çon drejt mbrojtjes së përbashkët, sheshon konfliktet e brendshme, nuk nxit hasmëri dhe hakmarrje që zgjasin me breza, sepse lufta e Ded Gjon Lulit nuk ka robër, krime, djegie, dëbime.
Nuk mendoj se ne nuk duhet të zhvillojmë mendim kritik, sepse qasja jokritike dëmton kohezionin shoqëror dhe krijon hapësirë për ndërhyrje të huaja që janë po aq të rrezikshme, sepse manipulimi i etosit mund të marrë forma të reja me glorifikim të verbër të së kaluarës pa reflektim kritik, ku mund të vijë deri te përdorimi i ndjenjës së krenarisë për interesa politike e në anën tjetër mund të nxisë theksimin e ndarjeve krahinore për përfitime afatshkurtra.
Dedë Gjon Luli është i të gjithëve dhe në këtë kontekst duhet të shikohet, jo të përdoret. Ata që dinë më shumë se ne e kanë kuptuar se kur etosi shkëputet nga thelbi i tij moral dhe përdoret si mjet propagande, ai e humb funksionin e tij bashkues. Prandaj kujdes edhe kush e sulmon, por edhe kush e mbron Dedë Gjon Lulin. Atë duhet ta vendosim në bërthamën e etosit tonë. Megjithatë, nësë dëshirojmë që thelbi i etosit malësor të mbetet i qëndrueshëm, duhet të jemi të kujdesshëm që besa të ruhet si integritet, mikpritja si humanizëm, trimëria si qëndresë me dinjitet, jo si agresion. Sfida jonë sot nuk është ta romantizojmë etosin, por ta kuptojmë drejt dhe ta mbrojmë nga manipulimi, qoftë i jashtëm apo i brendshëm. Sepse një etos i vërtetë nuk është armë për përçarje, është themel për unitet dhe sa herë që vlerat përdoren për të ndërtuar e jo për të ndarë, atëherë etosi i malësorit vazhdon të jetë forcë morale në realitetin tonë.
Dedë Gjon Luli, kur të shikohet në bazamentin e tij të artë kudo ka shesh shqiptar, ai duhet të reflektojë atë që ishte vetë – i veshur me nder, drejtësi, besnikëri, përkushtim për liri, përgjegjësi, që na tregon të dallojmë atë se çfarë konsiderohet e drejtë dhe e gabuar, na nxit të respektojmë rregullat e sjelljes në komunitet, kufijtë etikë që nuk duhen shkelur. Po ashtu Dedë Gjon Luli, që buron dhe përfaqëson etosin tonë, na ndihmon në besimet kolektive si botëkuptimi për jetën dhe shoqërinë, koncepti për Zotin, natyrën apo fatin, idealet për të mirën e përbashkët, po aq përfaqëson traditat dhe zakonet, ritet familjare dhe shoqërore, kodin e nderit, praktikat e trashëguara ndër breza. Përmendorja e Dedë Gjon Lulit duhet të jetë me përmasa reale, por mesazhi i tij sa më i thjeshtë, që përçon porosinë se etosi është kompleks, prandaj duhen edhe mjete komplekse që të mbrohet ai. Dedë Gjon Luli në këtë mozaik dhe realitet që ndodhemi, si pakicë kombëtare, duhet të na përforcojë edhe qëndrimin ndaj autoritetit dhe ligjit, vetëqeverisjes, marrëdhënieve me pushtetin, por edhe marrëdhënieve me tjetrin, mikpritjen, solidaritetin, kujdesin që duhet të kemi kur nevojitet toleranca ose si të shtypet përjashtimi, duke e individualizuar Dedë Gjon Lulin me etosin, pra me idealin e karakterit, çfarë tipi njeriu konsiderohet “model”, dhe si menaxhohen virtytet që vlerësohen (guximi, maturia, urtësia, sakrifica). Në këtë simbiozë, mes heroit të prekshëm dhe të pazëvendësueshëm për ne, tiparet veçuese të etosit që janë edhe simbolet identitare, veshja tradicionale, gjuha, flamuri apo shenjat dalluese, simbolet historike, nëse i zëvendësojmë – ne e humbim etninë. Nëse e zëvendësojmë etosin me një etos tjetër, ne ndryshojmë edhe qëndrimin ndaj punës dhe sakrificës, përballjes së vështirësive, duke e ditur se kur preket në etosin, apo sulmohet dhe atakohet ai, pa dyshim se shembet kujtesa historike, narrativa për të kaluarën, heronjtë dhe figurat modelë, ngjarjet që formësojnë vetëdijen kolektive, sepse etosi na tregon jo vetëm çfarë beson një shoqëri, por si vepron, çfarë nderon dhe çfarë dënon, pra kemi një njeri të ri.
Ata që e sulmojnë Dedë Gjon Lulin ose që përdorin ndërmjetës në këtë fushatë, e dinë këtë gjë, prandaj kujdes mos të heqim dorë nga ky kombinim i vlerave, normave dhe idealeve, që i japin identitet dhe drejtim një kombi. Shembulli flagrant alarmant është e dhëna se 80 për qind e shqiptarëve nuk e ndiejnë Shqipërinë si shtetin amë, dhe këtë siguri se do ta ruajmë etosin tonë mund të na e japë kultivimi me kujdes i personalitetit historik të Dedë Gjo Lulit. Kur bie etosi dhe thërmohet ai në vetëdije dhe qenie, sepse është muri rrethues i etnosit, atëherë s’do mend se me të bie edhe etnosi, apo ajo që përbën vetëdijen tonë kombëtare, gjuhësore, dhe çdo lloj të ndjesisë sonë për përkatësinë shqiptare, duke kombinuar me mjeshtëri etosin racional me etnosin emocional.

Tags: Dedë Gjon LuliRobert Camaj
Previous Post

Shqipëria, ndër vendet e NATO-s me gatishmërinë më të lartë për të luftuar për vendin

Fotografia e muajit

Kënga e Muajit

Facebook Instagram Youtube
  • Hyrje
  • Lajme
  • Opinione/Editoriale
  • Etnike/Rajoni/Bota
  • Mërgata
  • Kulturë
  • Sport
  • Të Ndryshme
  • Rreth Nesh
  • Marketing
  • Kontakti
  • stafi@malesia.org

© 2000 - 2024 malesia.org

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Hyrje
  • Lajme
  • Opinione/Editoriale
  • Etnike/Rajoni/Bota
  • Mërgata
  • Kulturë
  • Sport
  • Të Ndryshme
  • Rreth Nesh
  • Marketing
  • Kontakti

© 2000 - 2024 malesia.org