Fjala e drejtorit msc.David Junçaj:
Të dashur vogëlushë, prindër, kolegë dhe përfaqësues të mediave,
Jemi mbledhur këtu në Triesh për të shënuar hapjen e një njësie të re edukative – një ëndërr që sot po bëhet realitet.
E dimë të gjithë që jeta në zonat malore ka sfidat e veta, por kjo nuk duhet dhe nuk do të jetë pengesë për edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve tanë. Çdo fëmijë meriton mundësi të barabarta, pa marrë parasysh se ku jeton.
Dua të theksoj se kjo iniciativë ka lindur pikërisht nga prindërit, të cilët shprehën dëshirën dhe nevojën për një hapësirë të tillë për fëmijët e tyre. Kjo kërkesë u shqyrtua dhe u mbështet nga Këshilli Drejtues i kopshtit dhe shumë shpejt mori miratimin edhe nga Ministria e Arsimit dhe inovacionit. Ky është një shembull i bukur i asaj se çfarë mund të arrihet kur prindërit, kopshti dhe Ministria bëhen bashkë me një qëllim të përbashkët – të ardhmen e fëmijëve tanë.
Kjo njësi është ndërtuar me shumë përkushtim dhe dashuri, me bindjen se investimi më i madh që mund të bëjmë është tek fëmijët tanë. Këtu ata do të hedhin hapat e parë drejt dijes, do të mësojnë, do të luajnë dhe do të rriten në një ambient të sigurt dhe të ngrohtë.
Falënderoj nga zemra të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij projekti – Ministrin e Arsimit dhe Inovacionit, Komunen e Tuzit, udhëheqësinë e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët.
Të dashur fëmijë, kjo është shtëpia juaj e dytë. Ruajeni, mbusheni me buzëqeshje dhe ëndrra.
Uroj që kjo njësi, të cilën sot e kemi emërtuar “Njësia edukative FOLEJA”, të jetë gjithmonë plot jetë, gëzim dhe suksese.
Foleja simbolizon vendin më të sigurt, më të ngrohtë dhe më të dashur – aty ku fillon jeta, ku rriten ëndrrat dhe ku çdo fëmijë ndjehet i mbrojtur dhe i përkrahur. Ashtu si zogjtë e vegjël që rriten në fole derisa të marrin fluturimin e tyre të parë, edhe këtu fëmijët tanë do të rriten me dashuri, kujdes dhe dije, derisa të jenë gati të hapin krahët drejt së ardhmes.
Institucioni Publik Parashkollor “Nënë Tereza” është sot një institucion serioz dhe i besueshëm, që çdo ditë fiton besimin e prindërve. Numri i fëmijëve që ndjekin këtë institucion është në rritje të vazhdueshme, dhe sot kemi arritur në 468 fëmijë – një tregues i qartë i punës, përkushtimit dhe cilësisë që ofrojmë.
Në institucionin tonë punohet me plan dhe program të mirëfilltë edukativ, në një mjedis të sigurt, të ngrohtë dhe mbështetës për çdo fëmijë. Vizioni ynë është i qartë – të edukojmë fëmijë që ndihen të sigurt, të vlerësuar dhe të përkrahur, duke u dhënë atyre bazat më të forta për jetën.
Dhe pikërisht mbi këtë vizion, Institucioni Publik Parashkollor “Nënë Tereza” do të vazhdojë me përkushtim rrugën e tij drejt zgjerimit dhe zhvillimit, duke hapur njësi të reja edukative, gjithmonë në shërbim të fëmijëve tanë.
Faleminderit nga zemra dhe urime të gjithëve.



