Nënkryetari i Kuvendi i Malit të Zi, njëheri deputeti i LDSH-së, nga radhet e Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj, deklaroi për Portalin e RTMZ se mbështet formimin e komisioneve hetimore që do të kontribuonin në zbardhjen e gabimeve të së kaluarës, në mënyrë që ato të mos përsëriten më kurrë në të ardhmen.
Camaj e tha këtë duke iu përgjigjur pyetjes nëse mbështet formimin e një komisioni hetimor të Kuvendit të Malit të Zi, i cili do të merrej me mbledhjen e informacioneve dhe fakteve mbi veprimet e organeve shtetërore dhe subjekteve të tjera në rastet e vrasjeve dhe sulmeve me motive politike të kryera nga të ashtuquajturat “treshja e zezë”.
Më herët, Camaj kishte paralajmëruar se edhe për aksionin “Fluturimin e Shqiponjës” duhet të formohet një komision hetimor, dhe për Portalin e RTMZ, ai thotë se mbetet në këtë qëndrim, duke theksuar se ky komision duhet të formohet veçmas, përveç atij që do të merret me “treshen e zezë”.
“Jam i sigurt se pjekuria jonë politike dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve nuk do të lejojnë që çfarëdo lloj abuzimi të pengojë zbardhjen e gjithçkaje që na rëndon nga e kaluara”, tha Camaj.
Sipas tij, arsyeja e vetme dhe e justifikuar për formimin e këtyre trupave në Kuvendin e Malit të Zi është e vërteta që të gjithë e meritojmë.
“Prandaj jam i mendimit se këto lloj “hetime parlamentare” janë të mira, madje të domosdoshme, sepse besoj në sinqeritetin e qasjes ndaj të gjithë atyre që në të dyja “aksionet” e përmendura kanë përjetuar padrejtësi dhe kanë qenë viktima të saj”, përfundoi Camaj.
Malesia.org


