Deputeti i Forumit Shqiptar dhe përfaqësues i Alternativës Shqiptare, Artan Çobi, ka kërkuar nga Ministria e Kulturës dhe Mediave e Malit të Zi që të mos japë pëlqimin për legalizimin e objektit ilegal – kishës së vendosur nga Kisha Ortodokse Serbe në majën e Rumisë.
Në një reagim publik, Çobi thekson se Rumia nuk është thjesht një pikë gjeografike, por një monument me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore, që u përket të gjithë qytetarëve, pa dallim feje apo përkatësie kombëtare.
“Maja e Rumisë nuk është thjesht një pikë gjeografike; ajo është një monument historik dhe kulturor që u takon të gjithë qytetarëve, pa dallim feje apo kombësie. Institucionet relevante të Malit të Zi e kanë pasur obligim që ta mbrojnë Ruminë si zonë me rëndësi të veçantë dhe të organizojnë kërkimet e nevojshme arkeologjike, por në vend të kësaj, kanë lejuar devastimin. Është detyrim i yni moral dhe qytetar që të dalim në mbrojtje të pasurive tona të përbashkëta dhe të mos lejojmë cenimin e tyre nga adresa të papërgjegjshme”, ka shkruar Çobi.
Në shkresën zyrtare drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe Mediave, Çobi thekson se, duke u nisur nga rëndësia e këtij mjedisi si trashëgimi natyrore dhe kulturore, si dhe në përputhje me planet hapësinore në fuqi, ky institucion duhet të deklarohet qartë kundër çdo procesi legalizimi që shkel ligjet e vendit dhe konventat ndërkombëtare.
Ai rikujton se legalizimi eventual i këtij objekti do të ishte në kundërshtim me nenin 78 të Kushtetutës së Malit të Zi, i cili garanton mbrojtje të posaçme për të mirat natyrore dhe kulturore me interes të përgjithshëm.
“Një akt i tillë nuk do të ishte në përputhje as me Ligjin për mbrojtjen e të mirave kulturore, as me detyrimet ndërkombëtare që Mali i Zi ka marrë përmes ratifikimit të Konventës për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore botërore”, thuhet më tej në shkresë.
Sipas Çobit, Rumia i plotëson të gjitha kushtet për t’u shpallur zonë e mbrojtur me rëndësi të posaçme, dhe çdo veprim që cenon këtë status përbën shkelje të ligjit dhe dëm të pakthyeshëm për trashëgiminë e përbashkët.



