Kuvendi i Komunës së Tuzit ka miratuar sot buxhetin më të madh në historinë e kësaj komune, me vlerë prej 12.895.072 euro, i cili do të zbatohet gjatë vitit 2026. Buxheti, sipas kryetarit të Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, pasqyron një vizion të qartë dhe një angazhim serioz për zhvillimin e qëndrueshëm të Malësisë.
Ky buxhet parasheh investime të rëndësishme dhe të mirëplanifikuara në infrastrukturën rrugore, ndërtimin dhe rregullimin e parqeve dhe komplekseve sportive, si dhe në forcimin e jetës kulturore dhe përmirësimin e infrastrukturës publike në përgjithësi.
Sipas Gjelajt, bëhet fjalë për projekte konkrete që do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve, në zhvillimin ekonomik lokal dhe në krijimin e vlerave të qëndrueshme për Malësinë, si në të tashmen ashtu edhe në të ardhmen.
Kryetari i Komunës shprehu falënderime të veçanta për stafin profesional të Komunës së Tuzit, si dhe për këshilltarët komunalë, për bashkëpunimin, sugjerimet dhe mbështetjen e dhënë gjatë procesit të hartimit dhe miratimit të buxhetit.
“Malësia po ndryshon – me vizion, me investime dhe me menaxhim të përgjegjshëm”, u shpreh Gjelaj.
Malesia.org



