Lëvizja Vetëvendosje e propozoi të martën nënkryetarin e kësaj partie, Glauk Konjufcën për mandatar për kryeministër të Kosovës, teksa partitë e tjera shqiptare kërkuan mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Disa orë pasi në Këshillin e Përgjithshëm të LVV-së, Konjufca u propozua që të jetë në krye të një ekzekutivi të ardhshëm, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e mandatojë atë.
Tani, Konjufca ka 15 ditë kohë që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re të Qeverisë, e cila duhet të marrë të paktën 61 vota për.
Çfarë ndodhi në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së?
Mesditën e 4 nëntorit, LVV-ja mblodhi Këshillin e saj të Përgjithshëm, ku kreu i partisë, Albin Kurti, propozoi emrin e nënkryetarit partiak për postin e kryeministrit.
“Unë marr vendin e Glaukut, e ai timin, siç jemi dakorduar bashkë mbrëmë”, tha kreu i LVV-së, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Ai iu referua postit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Diasporës, ku Konjufca ishte caktuar në ekzekutivin e propozuar nga Kurti më 26 tetor – por që nuk mori mbështetjen e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kurti tha, po ashtu, se në këtë mënyrë mund të shmangen dy palë zgjedhje dhe Kuvendi të miratojë buxhetin për vitin 2026.
Sipas tij, nëse vendi shkon në zgjedhje në dhjetor pa buxhet, do të rrezikohej shteti.
“Caktimi i mandatarit të dytë në këto rrethana është domosdoshmëri. Le ta votojë opozita një qeveri të udhëhequr nga Glauku”, në mënyrë që të procedohet buxheti i shtetit nga një qeveri fuqiplotë, tha Kurti.



