Siria, vend në Lindjen e Mesme, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të mërkurën, njoftuan zyrtarë nga të dyja vendet.
Në një njoftim në Facebook, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Siria u arrit me mbështetjen e princit të kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, të mërkurën, në Riad.
Ajo e falënderoi presidentin e Sirisë, Ahmed al-Sharaa, për vendimin për njohjen e Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin e saj.
Osmani udhëtoi këtë javë për në Riad të Arabisë Saudite, me ftesë të Muhamed bin Salmanit, për të marrë pjesë në Forumin e Iniciativës për Investime në të Ardhmen.
“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë”, shkroi Osmani.
Ministria e Jashtme e Sirisë tha se vendimi për njohjen e Kosovës “buron nga bindja e Sirisë në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe nga angazhimi i saj për promovimin e parimeve të paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë”.
Njohja nga Siria është e treta këtë vit për Kosovën, pasi më herët dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia, e njohën atë.
Siria është bërë tani shteti i 120-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e shtetit të Kosovës.




