Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i ka dërguar të hënën notë verbale Ambasadës së Kosovës në Podgoricë, lidhur me të shtënat me armë zjarri që dyshohet se u erdhën nga pjesa e Kosovës në zonën pranë qendrës malazeze të skijimit, Hajlla-Shtedim, afër kufirin mes dy shteteve.
“Nga organet kompetente të Republikës së Kosovës është kërkuar që t’i identifikojnë dhe t’i procedojnë autorët e këtyre incidenteve, si dhe të njoftojnë Malin e Zi për të gjitha masat dhe veprimet e ndërmarra”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Malit të Zi, për Radion Evropa e Lirë (REL).
Sipas mediave malazeze, ngjarja ka ndodhur gjatë fundjavës, në një zonë kufitare malore, ku është dëgjuar breshëri armësh. Megjithëse nuk raportohet për të lënduar, institucionet e Malit të Zi e kanë cilësuar rastin si shqetësues për sigurinë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Përmes notës verbale, Podgorica ka kërkuar sqarime nga pala kosovare lidhur me incidentin dhe garantimin e masave që ngjarje të tilla të mos përsëriten.
Po ashtu, theksohet se palës kosovare i është tërhequr veçanërisht vëmendja për rëndësinë e zbatimit të tri marrëveshjeve ndërmjet shtetesh – për kufirin shtetëror ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, hapjen e pikës së përbashkët kufitare Kotlovi–Kuqishtë dhe rregullimin e regjimit të qarkullimit kufitar.
Fadil Gashi nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka asnjë informacion për incidente të sigurisë në kufirin me Malin e Zi, duke theksuar se policia rajonale është më shumë e angazhuar “për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, e jo për incidente ndërkombëtare.
Mali i Zi dhe Kosova në vitin 2015 e nënshkruan Marrëveshjen për demarkacionin. Mali i Zi e ratifikoi atë në të njëjtin vit, ndërsa Kuvendi i Kosovës tre vjet më vonë.