Komuna e Tuzit ka dorëzuar padi kundër Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, duke e akuzuar atë për veprime të paligjshme dhe të parregullta gjatë lëshimit të kushteve urbanistiko-teknike për ndërtimin e kadeve sanitare 5 dhe 6, të planifikuara në territorin e saj.
Në njoftimin e Komunës theksohet se ministria ka vepruar pa marrë mendimin dhe pëlqimin e organeve kompetente të Tuzit, duke shkelur parimin e ligjshmërisë dhe kompetencës, në kundërshtim me Ligjin për planifikimin hapësinor dhe ndërtimin e objekteve.
Po ashtu, rikujtohet se Kuvendi i Komunës së Tuzit ka shfuqizuar vendimin për miratimin e Projektit Urbanistik “Deponia sanitare me qendër riciklimi” në Podgoricë.
“Komuna e Tuzit do të këmbëngulë në mbrojtjen e kompetencave ligjore dhe të drejtave të qytetarëve, me përgjegjësi të plotë ndaj interesit publik dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në reagimin e komunës, e cila fton institucionet kompetente të shqyrtojnë ligjshmërinë e veprimeve të ministrisë dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e interesit qytetar.
/MALESIA.ORG/