Shoqëria Kulturore-Artistike “Koha” nga Malësia mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Kulturës “Porto Etna” në Rijeka të Kroacisë, ku përfaqësoi me krenari kulturën dhe trashëgiminë shqiptare para publikut ndërkombëtar.
Në kuadër të festivalit, shoqëria mori pjesë edhe në një simpozium shkencor kushtuar xhubletës, ku prezantuan një xhubletë origjinale, një nga vlerat më të çmuara të trashëgimisë kombëtare. Xhubletën e prezantoi anëtari më i vjetër i shoqërisë, Ali Beqiraj, duke i dhënë një peshë të veçantë këtij momenti.
Në simpozium, kryetari i SHKA Koha Sulejman Beqaj dhuroi disa pjesëmarrësve publikimin “Xhubleta, dëshmi e lashtësisë”, të siguruar nga Komuna e Tuzit.
Anëtari më i ri të grupit, Visar Beqaj, interpretoi një këngë gjatë simpoziumit.
Në aktivitet morën pjesë personalitete të shquara, mes tyre Ambasadorja e Shqipërisë në Kroaci, znj. Donika Hoxha, dhe Ambasadori i Kosovës, z. Martin Berishaj, i cili mbajti një fjalë shkencore mbi rëndësinë e xhubletës.
SHKA “Koha” falënderon në mënyrë të veçantë z. Martin Berishaj për ndërmjetësimin dhe mikpritjen, znj. Ermina Lekaj Prljaskaj për mbështetjen, si dhe Bashkësinë Shqiptare të Prefekturës Bregdetaro-Malore të Kroacisë për pritjen e ngrohtë dhe ndihmën e dhënë.
/MALESIA.ORG/