Qeveria e Malit të Zi ka dhënë miratimin për vendosjen e monumentit të mitropolitit Amfilohije në qytetin e Kollashinit. Kërkesa u bë nga Komuna e Kollashinit, ndërsa Ministria e Kulturës dhe Medias e propozoi vendimin.
Vendimi u mor në mbledhje telefonike të qeverisë, sipas mediave lokale. Nga Komuna u tha se janë të kënaqur që kanë bërë hapin e parë për ruajtjen e kujtimit të mitropolitit të ndjerë Amfilohije.
Kujtojmë se vitin e kaluar Qeveria e Malit të Zi miratoi ngritjen e monumentit të të njëjtit mitropolit edhe në qytetin e Beranes.
Amfilohije Radoviq (1938–2020) ishte Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi për tri dekada, një figurë me ndikim të madh fetar, politik dhe shoqëror.
Ai njihej si përfaqësues i ideologjisë serbomadhe në Mal të Zi, duke kundërshtuar identitetin kombëtar malazez. Dallohej si nxitës i urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe myslimanëve, ndërsa ishte i njohur për deklarata fyese dhe diskriminuese.
Amfilohije ishte kundërshtar i pavarësisë së Malit të Zi dhe kritik i fuqishëm i politikës perëndimore në rajon, duke u rreshtuar hapur kundër NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, ai shihej si figurë anti-perëndimore dhe pengesë për integrimin e vendit.
Ministrat shqiptarë dhe boshnjakë në Qeverinë e Malit të Zi nuk janë deklaruar publikisht lidhur me vendimin për miratimin e ngritjes së monumentit të mitropolitit Amfilohije.
/MALESIA.ORG/