Banorët e disa vendbanimeve të Malesisë, protestuan sot kundër planit për ndërtimin e kades së pestë dhe të gjashtë sanitare në deponinë ekzistuese.
Protestuesit bllokuan hyrjen kryesore të Deponisë për më shumë se katër orë, duke penguar qarkullimin e automjeteve, ndërsa pas orës 20:00 lejuan lirimin e rrugës.
Me protestuesit ishin edhe zëvendëskryeministri i Mali të Zi, Nik Gjeloshaj, kryetari i Komunës së Tuzit Lindon Gjelaj dhe Fadil Kajoshaj, kryetar i Kuvendit Komunal të Tuzit.
Organizatori i protestës, Mark Gorvokaj, pret që në protestë të bashkohet e gjithë Malësia, por edhe që përfaqësuesit e pushtetit në Tuz t’u japin mbështetje.
Gorvokaj, tha se banorët nuk do të tërhiqen derisa problemet të zgjidhen dhe kërkoi takim urgjent me: Kryeministrin Milojko Spajiq, Kryetarin e Podgoricës Sasha Mujoviq,dhe Drejtorin e Deponisë, Aleksandar Bozhoviq.
Sipas tij, vendosja e kateve të reja sanitare po shkakton erëra të rënda dhe pasoja në jetën e përditshme të banorëve.
Nik Gjeloshaj, zëvendëskryeministër i Malit të Zi dhe ish-kryetar i Komunës së Tuzit, gjatë protestës, tha:
“Deponinë e ndërtuan banorët e Malësisë, Zetës dhe Podgoricës, dhe të drejtë mbi të kanë vetëm ata. Kështu ka qenë deri sa erdhi menaxhmenti i ri, i cili hodhi poshtë gjithçka që duhej respektuar dhe e shndërroi ndërmarrjen në një biznes për përfitime financiare. Kjo duhet të parandalohet. Ne mund të ulemi e të biem dakord se kur Deponia do të kalojë në pronësinë tonë.”
Ai porositi se nuk do të ketë punime në deponinë “Livade”, pasi ajo ndodhet në territorin e Komunës së Tuzit.
“Le të jetë e qartë për të gjithë se deponinë nuk mund ta përdorin komunat e tjera, por vetëm banorët e këtyre tre zonave. Kjo është prona jonë, dhe marrëveshja ka qenë që me të të koordinojë Kryeqyteti, e jo ta shndërrojnë në një ndërmarrje fitimprurëse,” – theksoi Gjeloshaj.
Kryetari aktual i Tuzit, Lindon Gjelaj, u shpreh i vendosur se punimet nuk do të lejohen pa miratimin e komunës dhe se do të kërkohet që Deponia të kalojë në pronësi të Komunës Tuzi për të garantuar kontroll më të madh lokal.
Gjeloshaj shtoi se për zonën nuk ekziston dokument planifikues urban, pasi ai është hequr ose nuk është në fuqi. Sipas tij, çdo leje e dhënë nga autoritetet për ndërtim është jashtëligjore dhe përgjegjësit duhet të japin llogari.
Banorët ngritën pyetje publike: kush ia ka dhënë lejen drejtorit të Deponisë për të nisur punimet dhe pse komuniteti nuk është konsultuar. Ata paralajmëruan se protesta do të vazhdojë derisa kërkesat e tyre të merren seriozisht.
/MALESIA.ORG/