Nga datat 18 deri më 20 shtator, në Plavë e Guci po zhvillohet kampi edukativ mbi vlerat identitare, të cilin e realizon OJQ Horizonti i Ri nga Ulqini, me mbështetjen e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi.
Projekti synon që të fuqizojë kompetencat e të rinjve shqiptarë për përfshirje në proceset integruese, si dhe përgatitjen e liderëve rinor për t’u angazhuar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, si në nivelet lokale ashtu edhe në atë qendror.
Aktiviteti qendror i këtij kampi u zhvillua dje në sallën e Kuvendit të Komunës së Gucisë, ku u mbajt një sesion eduktiv me të rinjtë nga Ulqini, Tuzi, Plava e Gucia. Ne takim morën pjesë edhe
përfaqësues të institucioeve vendore e shtetërore, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të medias.
Në takim u diskutua për konceptet themelore të lirive dhe të drejtave të pakicave, mekanizmat për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre, nevojën e edukimit të të rinjve të popujve pakicë për promovimin e veçoritë kombëtare, avancimin e programeve dhe aktiviteteve qe kontribuojnë në pjesëmarrjen e tyre në jetën publike, si dhe për përgatitjen e tyre për të qenë sa më shumë të përfshirë në proceset integruese.
Ligjërues dhe panelistë të këtij sesioni ishin:
Asdren Çelaj – nënkryetar i Komunës së Gucisë;
Arben Xhurreta – drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë për të Drejtat e Popujve Pakicë;
Vediha Gjoni – studiuese e letërsisë shqipe;
Jetmir Lajçi – profesor i historisë,
Nazif Veliqi – drejtor i OJQ Horizonti i Ri
Ky aktivitet është pjesë e projektit “Të rinjtë, identiteti dhe përkatësia në procesin e integrimeve”, të cilin OJQ Horizonti i Ri e realizon në kuadër të konkursit publik “Integrim me identitet” për financimin e projekteve të OJQ-ve për vitin 2025, në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të popujve pakicë dhe komuniteteve të tjera minoritare në Mal të Zi, të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave.