Në kuadër të Panairit të 6-të të Librit në Tuz, u promovua libri i ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi, titulluar “Enciklopedia Imagjinare”. Në këtë aktivitet, autori u shoqërua nga Irena Toçi si bashkëbiseduese.
Në promovim morën pjesë përfaqësues politikë e kulturorë, shkrimtarë dhe intelektualë, ndër ta kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, dhe sekretarja e Sekretariatit për Vetqeverisje Lokale, Marina Ujkaj.
Libri “Enciklopedia Imagjinare” është një vepër letrare eksperimentale ku Bajram Kosumi kombinon elemente enciklopedike me imagjinatën artistike. Teksti pasqyron ironi, grotesk, metatekst dhe aludime biblike e filozofike, duke krijuar një gjuhë dhe mendim të veçantë dhe duke u vlerësuar si një arritje e rëndësishme në letërsinë bashkëkohore.
Promovimi i këtij libri në Panairin e Librit në Tuz ka ofruar mundësinë për të njohur më thellë krijimtarinë e autorit Bajram Kosumi dhe për të diskutuar mbi rëndësinë e këtij teksti në kontekstin e letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Albert Camaj




