Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklaratës së Ministres së Kulturës dhe Medias, dr. Tamara Vujoviq, e cila e ka cilësuar figurën e Isuf Kamer Çelajt si “bashkëpunëtor të pushtuesit” në debatin mbi bustin e vendosur në Vuthaj.
Në reagimin zyrtar, KKSH e ka quajtur këtë qasje “të papranueshme, fyese dhe të rrezikshme për kohezionin shoqëror”, duke theksuar se Isuf Çelaj ishte një luftëtar dhe dëshmor i popullit të Plavës e Gucisë, që ra në betejë kundër forcave çetnike në fillim të vitit 1944, në moshën 35-vjeçare.
“Deklarata të tilla të rrezikshme, të lëshuara pa prova apo argumente shkencore, janë një formë stigmatizimi të një komuniteti të tërë. Isuf Kamer Çelaj nuk ka qenë kriminel, por një hero popullor, i cili ka ndihmuar si banorët vendas, ashtu edhe familje të popullsisë jo-shqiptare,” thuhet ndër të tjera në reagim.
KKSH ka theksuar se Mali i Zi është një shtet i diversitetit kulturor dhe historik, dhe se përdorimi i ligjit për të “fshirë” një pjesë të kujtesës kolektive dëmton rëndë mirëkuptimin ndërmjet komuniteteve.
Duke vënë në dukje se në vend ka qindra monumente të ngritura pa leje dhe mijëra objekte të paligjshme, KKSH ka kërkuar që Ministria e Kulturës të mbështetet në dokumente arkivore dhe fakte të verifikueshme, jo në burime të njëanshme.
Në fund, Këshilli i ka bërë thirrje ministres Vujoviq që të ndalë vendimet e njëanshme dhe autoritare dhe të hapë dialog me komunitetet e prekura.
Më poshtë mund të lexoni të plotë reagimin.
REAGIM I KKSH-së NDAJ DEKLARATËS SË MINISTRISË SË KULTURËS DHE MEDIAS TË MALIT TË ZI
Duke marrë shkas nga deklarata e ministres së Kulturës dhe Medias, dr. Tamara Vujoviq, në lidhje me përmendoren në Vuthaj të dedikuar Isuf Kamer Çelajt, ndiejmë përgjegjësinë të reagojmë në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, pasi si institucion, por edhe si komunitet, jemi thellësisht të prekur nga vlerësimet e njëanshme që përmenden në deklaratën e Ministrisë së Kulturës dhe Medias.
Para së gjithash, e konsiderojmë të papranueshme dhe fyese që menjëherë pas heqjes së përmendores së Pavlle Gjurishiqit, të reagoni ndaj bustit të Isuf Çelajt, duke i vënë në të njëjtin rrafsh historik dhe duke e quajtur bashkëpunëtor të pushtuesit. Këto janë deklarata të rrezikshme, të lëshuara pa prova apo argumente shkencore, pa respektuar kontekstin lokal, ku një figurë historike shpallet në mënyrë përgjithësuese “bashkëpunëtor i pushtuesit”, gjë që bart me vete stigmatizimin e një komuniteti të tërë që e konsideron atë pjesë të kujtesës së vet historie dhe që nuk lidhet me asnjë fakt konkret, as atëherë, as tani, pavarësisht përpjekjeve politike për ta bërë këtë.
Në fakt, Isuf Kamer Çelaj nuk ka qenë bashkëpunëtor i pushtuesit, por luftëtar i nderuar i popullit dhe i banorëve të Plavës dhe të Gucisë gjatë luftës. Ai ra dëshmor në fillim të vitit 1944, në moshën 35-vjeçare, në betejë kundër forcave çetnike. Ai nuk ishte kriminel, siç po tentohet të njolloset emri i tij, por përkundrazi, ishte një hero popullor, i cili sipas shumë dëshmive të shkruara dhe rrëfimeve të dëshmitarëve, ka ndihmuar si banorët vendas, ashtu edhe shumë familje të popullsisë jo-shqiptare.
Dëshirojmë të kujtojmë se Mali i Zi nuk është shtet i një narrative dhe ideologjie të vetme historike. Mali i Zi është një bashkësi diversitetesh, me të kaluar të ndërlikuar dhe perspektivave të shumëanshme. Prandaj, përpjekjet për ta përdorur ligjin si mjet për të fshirë një pjesë të kujtesës kolektive janë thellësisht të dëmshme dhe të rrezikshme për kohezionin shoqëror.
Nëse arsyetimi i vendimit të Mistrisë së Kulturës dhe Medias është aspekti formal-ligjor, ju kujtojmë se në Mal të Zi ekzistojnë qindra monumente të ngritura pa miratimin përkatës dhe dhjetëra mijëra objekte të paligjshme. Kur bëhet fjalë për faktet historike, Ministria duhet të mbështetet në dokumente arkivore relevante dhe fakte të verifikueshme, dhe jo në burime të njëanshme dhe deklarata subjektive të individëve. Për më tepër, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ka të dhëna dhe prova tjera, që flasin për Jusuf Çelajn si mbrojtës të atdheut dhe popullit të tij, pavarësisht përkatësisë kombëtare dhe fetare.
I bëjmë apel Ministrinë e Kulturës dhe Medias që të ndalë praktikën e vendimeve të njëanshme dhe autoritare, dhe që në vend të ultimatumeve – të hapë dialog, sepse një shtet që shemb përmendore pa e dëgjuar zërin e qytetarëve rrezikon të shembë edhe urat e besimit dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve që e përbejnë këtë shtet.
Me respekt,
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi,
Faik Nika d.v.