Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po ndërmarrin hapa konkretë për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, e nënshkruar më 18 mars në Tiranë nga ministrat e Mbrojtjes të tri vendeve.
Ministritë e Mbrojtjes të Kosovës dhe Shqipërisë kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se grupe të ekspertëve po punojnë aktualisht për hartimin e planit të zbatimit të deklaratës.
Nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë është bërë e ditur se në muajin shtator do të paraqitet për miratim udhëzuesi përfundimtar për tri ministritë, i cili tashmë është drejt finalizimit.
Sipas deklaratës së përbashkët, blerja e përbashkët e kapaciteteve mbrojtëse është hapi i parë i planifikuar. Në këtë kuadër, është synuar realizimi i një porosie të vetme për blerje të armëve amerikane, në vend të porosive të ndara nga secili shtet, me qëllim optimizimin e kostove dhe rritjen e efikasitetit.