Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka theksuar se pa lista të hapura dhe përfaqësim të drejtë të pakicave, nuk mund të ketë një reformë të vërtetë zgjedhore. Sipas tij, këto elemente janë thelbësore për ndërtimin e një sistemi zgjedhor të drejtë, gjithëpërfshirës dhe demokratik.
Lexoni postimin e plotë:
Jemi të kënaqur që disa nga idetë e parashtruara në Konceptin e Ligjit për Zgjedhjet Lokale më në fund kanë dalë në dritë — para së gjithash mbajtja e zgjedhjeve lokale në një ditë të vetme, profesionalizimi i organeve zgjedhore, por edhe rritja e kuotave gjinore në zgjedhje.
Ekipi ynë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në përparim përmes iniciativave para Kuvendit që para dy vitesh, si dhe përmes vetë Konceptit të Ligjit për Zgjedhjet Lokale.
Disa nga propozimet tona janë njohur dhe janë pranuar nga Komisioni për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore i Kuvendit , pavarësisht kundërshtimeve të shumta që janë shfaqur në kohën e dorëzimit të Konceptit në adresë të ministrisë sonë.
Megjithatë, mundësia për realizimin e një reforme zgjedhore të thellë dhe gjithëpërfshirëse, që do të mundësonte demokratizim të plotë të procesit zgjedhor, në përputhje me praktikat më të mira, standardet demokratike dhe respektimin e rendit kushtetues, nuk është shfrytëzuar në masën e nevojshme.
Qytetarët kanë mbetur të privuar nga të drejtat thelbësore demokratike — të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes listave të hapura; të zgjedhin drejtpërdrejt kryetarin e komunës dhe zëvendësin e tij; etj…
Përveç kësaj, reforma nuk mund të jetë e plotë pa një rregullim të thelluar të listës zgjedhore, e cila prej vitesh shkakton mosbesim te qytetarët dhe aktorët politikë. Pa këtë hap të rëndësishëm, çdo proces zgjedhor mbetet nën hijen e kontestimeve.
Gjithashtu, është e domosdoshme të përfshihen masa afirmative për popujt pakicë, të cilat garantojnë përfaqësim dhe pjesëmarrje të barabartë politike të të gjitha komuniteteve në jetën demokratike të vendit, në përputhje me standardet 🇪🇺 evropiane.
Kujtojmë për domosdoshmërinë e miratimit të një Ligji të ri dhe reformues për vetëqeverisjen lokale, të cilin MJU tashmë e ka përfunduar. Ndryshimet parciale nuk janë të mjaftueshme, dhe ne do të angazhohemi për ndryshimin e instituteve themelore të pushtetit lokal.
Qëllimi ynë është decentralizim i thellë i komunave, me besim të qytetarëve në institucione.
Inkurajon fakti se Komisioni do të vazhdojë punën e tij, në mënyrë që ky proces thelbësor të përmbyllet në një mënyrë që i përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe parimeve të demokracisë kushtetuese.