Në dekadat e kaluara, emigrimi masiv, sidomos drejt SHBA-së, qe kulmoi gjatë viteve ’60,’70 dhe gjatë krizës së viteve ‘90, si dhe asimilimi kulturor e gjuhësor, janë faktorët kyç që rajonin e Malësisë ku pothuajse 100% e popullsisë ishte e kombësisë shqiptare, e ulën në përqindje që sot, duket shumë më ndryshe. Në Malësi, sipas statistikave të vitit 2023, të deklaruar me kombësi shqiptare janë vetëm 62.55%.
Edhe sot, emigrimi vazhdon, por jo më me intensitetin e dikurshëm. Po ashtu, procesi i asimilimit ka marrë forma të reja dhe është më pak i dukshëm.
Sot faktorët kryesor që e rrezikojnë të ardhmen e Malësisë janë: nataliteti i ulët dhe shitja e tokës.
Nataliteti i ulët është një faktor i cili nuk e prek veç Malësinë, por të gjithë rajonin dhe më gjerë, ndërsa shitja e tokës është rreziku më urgjent me të cilin përballet sot Malësia.
Shitja e tokës nga vendasit, në Malësi apo nga mërgata, tek blerësit të cilët në shumicën e rasteve janë ardhacak (jo-shqiptar), në një të ardhme jo të largët mund të kthehet në “kapitullim” të Malësisë.
Toka nuk është vetëm pasuri, por është përgjegjësi, dhe çdo pëllëmbë që shitet, e ngushton hartën e prezencën, dhe është humbje territoriale, kulturore dhe historike.
Shitja e tokës në shikim të parë mund të duket si një akt individual ekonomik, por shitja e tokës në Malësi nuk është më thjesht një çështje private, as vetëm një zgjedhje ekonomike. Ajo është kthyer në një nga faktorët më të rrezikshëm për asimilimin gradual dhe sistematik të shqiptarëve në trojet e veta.
Kjo dukuri e re, e cila tashmë është në rritje të frikshme, kërkon zgjim të përbashkët shoqëror.
Ky fenomen mund të ndalet duke rritur ndërgjegjësimin, që jo veç se mos të shitet toka, por të nxitet në ruajtjen, rikthimin apo investimin në ato toka, veç që mos të kalojnë në duart e huaja.
Potenciali më i madh i cili mundet të përballet me këtë sfidë është mërgata malësore në SHBA.
Ajo ka mjetet financiare, përvojën organizative dhe, më e rëndësishmja, ndjenjën e përgjegjësisë historike. Pra, mërgata mund të jetë mekanizmi, ndoshta dhe i vetmi, që mund të ndihmojë Malësinë para këtij rreziku.
Është fakt se pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të mërgatës, në Malësi nuk është ndërmarrë asnjë nismë e rëndësishme. Falë mërgatës janë hapur e ndërtuar rrugë, objekte shkollore, kulturore e fetare, janë financuar aksione humanitare, siguruar bursa studentore dhe financuar e përkrahur aktivitete shoqërore e politike.
Por, nëse shqiptarët në një të ardhme të afërt bëhen pakicë në Malësi, atëherë të gjitha të lartpërmendurat mund të mbetën vetëm histori.
Nëse nuk veprohet në ndalimin e dukurisë së shitjes së tokës e cila eventualisht sjellë krijimin e vendbanimeve të reja siç është ai në Dheun e Zi, atëherë ajo kohë mund të vi shumë më shpejt se çka mund të paramendohet.
Veprimi i mërgatës në këto momente është jetik, jo vetëm duke zhvilluar fushatë ndërgjegjësimi por duke gjetur model të krijimit të ndonjë fondi përmes të cilit do të bliheshin tokat në shitje.
/MALESIA.ORG/