Më 11 maj në Shqipëri do të mbahen zgjedhjet parlamentare, ku qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140.
Të shtunën vendi do të jetë në heshtje zgjedhore, ndërkohë qytetarët me të drejtë vote do t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e 11-ta parlamentare në vend që nga rënia e regjimit komunist në vitin 1991.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, të drejtën e votës e kanë 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, ndër ta 114.642 zgjedhës votojnë për herë të parë.
Në të gjithë vendin do të jenë 5.225 qendra të votimit, ndërkohë procesi i votimit dhe numërimit të votova në disa qendra do të kryhet nëpërmjet pajisjeve elektronike të votimit dhe numërimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe institucione të tjera që kanë lidhje me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor vazhdojnë përgatitjet. KQZ ka filluar shpërndarjen e materialeve zgjedhore për zgjedhjet, duke përfshirë kutitë e votimit, fletët e votimit, dhomat e fshehtësisë dhe materiale të tjera që lidhen me procesin zgjedhor.
Sipas KQZ-së, për këto zgjedhje janë regjistruar 53 parti politike si subjekte zgjedhore, mes tyre dhe disa parti të reja, ndërkohë që garojnë 3 koalicione parazgjedhore.
– 12 zona zgjedhore në të gjithë vendin
Numri i zonave zgjedhore është 12 në të gjithë vendin dhe numri i mandateve të deputetëve për çdo zonë varion nga 3 mandate për Qarkun e Kukësit dhe deri në numrin më të madh të mandateve, në 37 mandate për Qarkun e Tiranës.
Partitë kryesore që garojnë në zgjedhje janë partia në pushtet, Partia Socialiste (PS) e drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe partia m e madhe e opozitës, Partia Demokratike (PD), e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Risia kryesore e zgjedhjeve është votimi nga jashtë Shqipërisë, pasi për herë të parë votojnë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë.