Nën organizimin e OJQ “Koha Jonë” për herë të parë në Malësi shënohet Dita e Librit, me ç’rast bibliotekat e gjimnazit ”25 Maji”, të shkollës fillore ”Mahmut Lekiq” dhe Bibliotekës së Qytetit u pasuruan me 300 tituj librash.
Organizata joqeveritare “Koha Jonë” është formuar si një organizatë e pavarur, synon që përmes veprimtarisë së vet dhe organizimeve të ndryshme të promovojë kulturën dhe njohjen e trashigimisë kulturore, etnike dhe gjuhësore të shqiptarëve në Mal të Zi . Të promovojë të drejtat dhe liritë e njeriut, të promovojë barazinë gjinore, aktivitetet humanitare, aktivitetet për mbrojtjen e mjedisit, të kontribuoj në edukimin e qytetarëve përmes seminareve dhe trajnimeve të ndryshme.
“Koha Jonë” është formuar nga disa të rinjë të shkolluar brenda dhe jashtë vendit si në Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë. Kjo organizatë është formuar si nevojë e qytetarëve për të patur një organizatë të tillë, që merret me problemet sociale, ekonomike, kulturore të komunitetit ku jetojmë. ‘’Koha Jonë’’ që nga themelimi ka organizuar aktivitete të ndryshme kushtuar të rinjve, problemeve sociale dhe mjedisit. Kurse para disa ditëve ajo zhvilloi dy aktivitete brenda një ditë, sepse e gjithë veprimtaria në qendër kishte librin, prandaj 23 prilli ishte data e përshtatshme.
‘’Koha Jonë’’ me 23 prill, në Ditën Botërore të Librit ka përfunduar me sukses ‘’PËR LIBRIN SHQIP’’, projekti është financuar nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave. Projekt i cili ka pasuruar bibliotekën e gjimnazit ”25 Maji”, të shkollës fillore ”Mahmut Lekiq” dhe Bibliotekën e Qytetit me 300 tituj librash të munguar, dhe botime të reja.
Në botimet e reja përfshihen autorët e pas vitëve 90-të si: Agron Tufa, Ervin Hatibi, Luljeta Lleshanaku fituese e çmimit autorja me e mirë e Panairit të Librit 2013, Bashkim Shehu etj.
Përzgjedhja e librave ka pasur si qëllim që të afrojë nxënësit dhe të gjithë lexuesit me botimet e fundit dhe leximet e Tiranës dhe Prishtinës, dhe të plotësojë mungesën e theksuar të librave që nxënësit i kanë me detyrim t’i lexojnë.
Duke qenë se libri është mënyra e vetme për të edukuar dhe përcjellë mesazhet e duhura në shoqëri, me 23 prill në darkë ‘’Koha Jonë’’ festoi edhe Ditën Botërorë të Librit në mënyre solemne. Me disa kumtesa, me pjesëmarrjen e kryetarit të Shkrimtarëve të Shkodrës Skënder Temalit, dhe me të ftuar nderi dramaturgun Fadil Kraja.
Pra, organizata joqeveritare ‘’Koha Jonë’’ nxjerr në pah mungesat dhe nevojat e shoqërisë, dhe kërkon të nxisë aktivitetet e nevojshme kulturore. Duke filluar nga nxitja për pasurimin e bibliotekave, krijimin e traditës për të festuar Ditën e Librit, dhe promovimin e vlerave letrare. Sepse vetëm përmes aktivizimeve dhe bashkëpunimeve mund të krijohen individë të mirëformuar, për të cilët çdo shoqëri njerëzore ka nevojë nëse do që të zhvillohet.
“Koha Jonë’’ deri tani ka organizuar edhe projekte tjera si ligjerata dhe seminare të ndryshme kushtuar të rinjve dhe kulturës së shqiptarëve në Mal të Zi dhe jo vetëm. Organizime të tilla janë përparësi e organizatës, dhe do të kemi të tjera së shpejti.
OJQ “Koha Jonë”