Duke ndjekur me shqetësim të madhë por edhe duke qënë kurdoherë i impenjuar në zgjidhjen e problemeve të Malësisë për të mundësuar ma të miren e mundshme për mbarë bashkëmalësorët e mi mendova të paraqes pikpamjet e mia në lidhje me çështjen e statusit që duhet të ketë Malësia.
Që në rrjeshtat e parë të këtij shkrimi unë dua të shpreh pikpamjen time të pakundërshtueshme se unë jam që Malësia të marrë statusin e Komunës së Plotë siç janë të gjitha komunat e tjera në Mal të Zi. Pikpamje të cilen unë e kam mbrojtur kurdoherë në çdo takim individual, me grupe interesi por edhe publike e mediatike kjo siç edhe kur kam qënë në pozicionin e Nenprefektit të Malësisë së Madhe, por edhe tani ndonëse me një detyrë që nuk ka të bëjë me politiken por me profesionalizmin.
Po të veshtrosh në retrospektivë në të gjitha negociatat me qeverinë malazeze të bashkuar edhe me qeveritarë shqiptarë kandari i rëndesës ka peshuar me humbje për malësorët ( pavarsisht perfitimeve politike të partive shqiptare ).
Duke u ndihmuar nga shumë dokumentarë ndër vite nga Portali Malësia.org, apo në emisione të drejtëpërdrejta nga TV BOIN etj media ( të cilat dua ti falenderoj për punën informuese që ato kanë bërë në gjithë ekzistencën e tyre ) kam vënë re se shprehjet nacionale të lidërve politikë e pushtetarë të Malësisë kanë qënë deri në maksimumin e duhur, por kur ka ardhur koha për vendosjen e fateve të Malësisë kanë rënë pre e pëfitimeve pushtetare për të mos thënë kompromentuese nga më të rendomta.
Besoj se tashmë e njoh mirë politiken e politikanët e pse jo edhe pushtetarët në Malësi e do isha shumë i lumtur po qe se do dali një nga ato dhe të mi hedhin poshtë mendimet e mia rreth çështje së Malësisë e sidomos kur ka të bëjë me statusin e saj. Mua asnjëherë nuk më kanë interesuar emrat e përveçëm ndaj edhe nuk dua të merrem me to por e rëndësishme ka qënë dhe është për mua dobia që ato kanë sjellur për Malësinë tonë të përbashkët.
Le të flasim më qartë: Para vitit 2006 u bënë demostrata, tubime, takime të ndryshme mes politikanëve, pushtetarëve, një pjesë të banorëve malësorë ( shih dokumentarin e TV.BOIN ) e një pjesë e mirë e atyre politikanëve apo liderve politikë që trumbetoshin më të madhe për Komunë me të drejta të Plota ranë në gjumin letargjik të përfitimit të pushtetit dhe u arrit të merrej vetëm Komuna Urbane nën suazen e Potgoricës. Edhe pse u drejtua pushteti nga malësorët nuk u kërkua asnjëherë bashkëbisedime për të ardhmen e Komunës por vetëm u kapen me njëri tjetrin se kush duhet ti prijë listave për në Kuvendin Komunal në Tuz e Potgoricë apo kush duhet të jetë kryetari i Komunës Urbane. E përseri në vitin 2010 u votua për Komunë Urbane nen suazen e Potgoricës.
U bënë zgjedhjet parlamentare të fundit në Mal të Zi dhe partitë shqiptare në vend që të mendoshin për bashkim në marrjen e sa më shumë mandateve u ndanë në katër kualicione e duke sharë njëri-tjetrin për tradhti ndaj interesave malësore u muaren vetëm dy mandate. E përsëri kur ishin të gjitha shanset për të arritur marëveshjen për Komunën e Plotë të Malësisë deputetët dhe kualicionet e partive shqiptare renden se kush më parë me afrua votën për qeverinë aktuale malazeze. Premtimi më i madhë që moren partitë politike shqiptare e në veçanti ato malësore ishte që në Shtator të 2013 do të organizohet një referendum konsultativ për Komunen e Malësisë. Perfundimi as ky referendum nuk u arrit të bëhej pasi ishte që në fillim një mashtrim i radhës e vetëm për të matur pulsin politikanëve malësorë. Kush mban përgjegjësi për këtë dështim? Unë mendoj se jo qeveria malazeze ( pasi ajo këtë deshiron të marri kohë sa herë ka zgjedhje ), por politika e politikanët malësorë shqiptarë të cilët sot nga dështimi arrijnë të hedhin fraza se herë jemi në qeverisje e herë jemi në opozitë kur deklerata publike për këto qendrime kanë qënë se jane në bashkëqeverisje.
Tashmë që po afrojnë zgjedhjet për pushtetin vendorë dhe përsëri po hidhet në treg nga qeveria malazese se duam ti japim të gjitha të drejtat Komunës së Malësisë por vetëm me një kusht të vogël që të votohet edhe për Potgoricë. Në cilen ligjë bazohen ato. Në cilin nen të Kushtetutës së Malit të Zi është e sanksionuar kjo formë vetqeverisje lokale. Mendoj se asnjë ligj apo nen të kushtetutës nuk e parashikon atë por fantazia qeverisëse për ti lënë përsëri malësorët nen suazen e Potgoricës. E çka është më thelbësorja politikanët e partitë shqiptare malësore jo vetëm që shprehen dakort por vrapojnë ta marrin gjithsecili si pronë të veten duke e theksuar si përfitim të madhe për komunitetin malësorë atje. Pse duhet që Komuna e Malësisë të quhet e Plotë kur voton edhe për Kuvendin e Potgoricës? Pse në marëveshjen ( që edhe pse mbahet e fshehtë ) sipas informacioneve që kam është rënë dakort që brenda mandatit të ri malësorët paskan të drejtën e referendumit për ndarje kur fare kollaj mundet që tani tu jepet e drejta për Komunë të Plotë si gjitha Komunat e tjera në Mal të Zi?
E po dy proverba të popullit shqiptarë e shpjegojnë fare qartë atë çfarë e mban peng të drejten për Komunë të Plotë të Malësisë: “ lepuri flë gjetkë “ dhe “ dardha e ka bishtin prapa “. E këto proverba filozofike shqiptare në rast se nuk i kanë mësuar politikanët e lidërët poltikë shqiptarë në Malësi te shkojnë tua mësojnë në Potgoricë pasi ata e dijnë shumë më mirë.
Unë për nga natyra nuk kam qënë kurrë ekstremistë nacioanlistë por kur shoh se me veprimet e lartpërmendura kërkohet tu hidhet hi syve bashkëmalësorëve të mi unë nuk mund të heshtë por duhet të tregoj patriotizmi e pavonuar pasi thotë përsëri një proverb filozofike e popullit shqiptarë se “ urtia pas kuvendit e trimëria pas lufte nuk të duhet ma “.
Ndaj sa nuk është vonë të mblidhen gjithë njerëzit e përgjegjshëm në Malësi pa as më të voglin dallim politik, fetar e krahinor dhe të kërkojnë të drejtën e tyre për Komunë të Plotë si gjitha Komunat e tjera në Mal të Zi. Në të kundërt kur të vijë koha e referendumit nuk e di se si ka për të qënë raporti i shqiptarëve në Malësi. Dhe atëherë do zbatohet shprehja e sllavëve se“ çakenjtë do qeshin ndër male “. E të mos ndodhi kjo ti thirret arsyes e logjikës së shendoshë mbarëmalësore pasi të gjithë ia kemi borxh Malësisë.
Me respekt për gjithë bashkëmalësorët
Sytki Ndrecaj
Koplik, Malësi e Madhe
Datë 24.01.2014